Pas shpalljes së aktgjykimit në rastin e rëndë të vrasjes së Liridona Ademajt, kanë folur familjarët dhe avokati i tyre.
Vëllai i së ndjerës, Leonard Ademaj ka thënë se vendimi ka sjellë një lehtësim për familjen, duke theksuar se ky ishte një vendim i pritur jo vetëm nga familja, por edhe nga gjithë shqiptarët.
“Sado pak na ka lehtësuar dhimbjen neve dhe familjes, dhe besoj se ishte një vendim që e kemi pritur të gjithë populli shqiptar dhe jo vetëm ne si familje”, ka deklaruar ai.
Ndërkohë, avokati i familjes Leutrim Syla është shprehur se, pavarësisht dënimit të shqiptuar, vendimi për 30 vjet burgim ndaj Kushtrim Kokallës do të apelohet në Gjykatën e Apelit.
“Duke pasur të drejtën që ta apelojmë në Gjykatën e Apelit, konform lartësisë së dënimit konsiderojmë që do të bëjmë ankesë. Ka qenë një proces i ngarkuar, e kuptojmë edhe gjykatën për këtë vendim, por duhet të jemi të matur dhe të respektojmë vendimet e gjykatës”, ka thënë ai.
Në seancë kanë qenë të pranishëm edhe hetuesit policorë të rastit, për të cilët avokati ka shprehur mirënjohje për punën e tyre.
“Ndihemi borxhli ndaj atyre hetuesve, sepse punën kryesore e kanë bërë ata. Është normale që prokuroria të thërrasë gjithë ekipin hetues”, është shprehur ai.
Vrasja e Liridona Ademajt – Burgim i përjetshëm për Murselin e Plavën, 30 vjet për Kokallën