Donjeta Sadiku fiton bindshëm në Kupën Botërore në Brazil

Boksierja kosovare, Donjeta Sadiku, ka shënuar fitore bindëse në meçin e saj të parë në Kupën Botërore të boksit që po mbahet në Brazil.

Në kuadër të xhiros së dytë në kategorinë deri në 60 kilogramë, Sadiku u përball me boksieren nga Zelanda e Re, Jordan Wilson.

Që nga fillimi i përballjes, Sadiku tregoi dominim të plotë në ring. Në raundin e parë, Wilson u detyrua të numërohej dy herë nga gjyqtari pas goditjeve të fuqishme të boksieres kosovare. Epërsia e Sadikut vazhdoi edhe në raundin e dytë, ku kundërshtarja u numërua sërish pas një tjetër goditjeje të fortë.

Raundi i tretë solli shkëmbime të shumta goditjesh mes dy boksierëve, por kontrolli i meçit mbeti në duart e Sadikut, e cila në fund triumfoi me vendim unanim të gjyqtarëve, 5:0.

Kjo fitore përbën një nisje shumë të mirë për Sadikun në këtë garë prestigjioze ndërkombëtare.

Të fundit nga rubrika