Policia e Kosovës ka parandaluar një rast të kontrabandimit me mallra në zonën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Sipas Policisë, rasti është zbuluar gjatë realizimit të detyrave operative në kuadër të planit “Mburoja e hekurt”, në zonën malore mes fshatit Radush (RMV) dhe rrugës që lidh fshatin Goranc me Hanin e Elezit.
Gjatë vëzhgimit në terren, njësitë policore kanë identifikuar një automjet që po lëvizte në rrugë ilegale nga territori i Maqedonisë së Veriut në drejtim të Kosovës. Drejtuesi i automjetit, së bashku me një pasagjer, ka tentuar të largohet, por është ndaluar nga zyrtarët policorë.
Si rezultat, është arrestuar një shtetas i Maqedonisë së Veriut. Në automjet janë gjetur dhe sekuestruar mallra të ndryshme, vlera e të cilave, sipas vlerësimeve fillestare, tejkalon dhjetëra mijëra euro. Për mallin e sekuestruar nuk është prezantuar dokumentacion përkatës mbi prejardhjen.
Pas konsultimit me prokurorin kompetent, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa automjeti dhe malli janë konfiskuar si prova materiale në procedurë penale.
