Politologu Dorajet Imeri vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për rastin e sulmit terrorist në Banjskë e ka cilësuar si një moment me “tri dënime, tri mësime”, por edhe me pasoja të qarta politike që nuk po adresohen.
Në një postim në Facebook, ai vlerëson se pas një procesi disa vjeçar, gjykata arriti të dënojë tre të akuzuarit për përfshirjen në aktin terrorist në Banjskë të Zveçanit, duke konstatuar se qëllimi i tyre ishte cenimi i rendit kushtetues dhe aneksimi i veriut të Kosovës.
Sipas Imerit, ky vendim dëshmon se institucionet e Kosovës po forcohen dhe po funksionojnë mbi baza ligjore.
Megjithatë, ai thekson se mesazhet që dalin nga ky rast nuk janë vetëm juridike, por edhe politike dhe të sigurisë.
Sipas tij, tri janë mësimet kryesore: paprekshmëria e rendit kushtetues, rritja e kapaciteteve shtetërore dhe fakti se stabiliteti rajonal mbetet i brishtë përderisa figura kyçe të përfshira në këtë rast nuk përballen me drejtësinë.
Në këtë kontekst, Imeri kritikon drejtpërdrejt faktin që Milan Radojçiq vazhdon të jetë i lirë në Serbia, duke e parë këtë si pengesë serioze për paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe dëshmi të mungesës së vullnetit për drejtësi.
Imeri ka kritikuar edhe Listën Serbe dume thënë se edhe kësaj radhe nuk u distancua nga sulmi në Banjskë.
Largimi i deputetëve të kësaj partie nga salla e Kuvendi i Kosovës në momentin e shpalljes së vendimit, për Imerin, është një akt simbolik që dëshmon vazhdimësinë e një qëndrimi politik problematik.
Sipas tij, kjo sjellje jo vetëm që nuk kontribuon në ballafaqimin me të kaluarën, por thellon ndarjet dhe minon përpjekjet për ndërtimin e besimit institucional dhe shoqëror në Kosovë.