Përleshjet mes forcave izraelite dhe grupit Hezbollahu kanë vijuar edhe të premten, vetëm një ditë pasi u njoftua zgjatja për tre javë e armëpushimit ndërmjet Izraelit dhe Libanit.
Sipas Forcat e Mbrojtjes së Izraelit, në jug të Libanit, në zonat Yater dhe Kafra, janë goditur lëshues raketash të Hezbollahut, të cilët, sipas ushtrisë izraelite, përbënin kërcënim për ushtarët dhe civilët izraelitë, shkruan CNN, transmeton Dukagjini.
Nga ana tjetër, Hezbollahu njoftoi se ka shënjestruar një transportues të blinduar izraelit në Ramyah, duke e cilësuar sulmin si përgjigje ndaj shkatërrimit të shtëpive në jug të Libanit, të cilin e konsideron shkelje të armëpushimit.
Zgjatja e marrëveshjes së armëpushimit u bë publike të enjten nga presidenti amerikan Donald Trump, por që nga ajo kohë të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të saj.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se Izraeli do të vazhdojë të godasë çdo kërcënim në territorin libanez, duke iu referuar dispozitave të marrëveshjes që lejojnë veprime në kuadër të vetëmbrojtjes.
Ndërkohë, Hezbollahu ka vënë në pikëpyetje vlefshmërinë e marrëveshjes, duke deklaruar se ajo “nuk ka më kuptim” përderisa, sipas tyre, sulmet izraelite në territorin libanez vazhdojnë.