Prokurori i Përgjithshëm në detyrë i SHBA-së, Todd Blanche, ka deklaruar se sipas hetimeve paraprake, agjenti i Shërbimit Sekret u plagos gjatë incidentit në Washington Hilton dyshohet se është qëlluar nga vetë sulmuesi, dhe jo nga zjarri miqësor i agjentëve të tjerë.
Megjithatë, ai theksoi se kjo ende nuk është konfirmuar plotësisht dhe hetimet po vazhdojnë për të sqaruar rrethanat e sakta të ngjarjes.
Në një intervistë për CBS News, Blanche tha se besohet që vetëm një person është plagosur gjatë incidentit – agjenti i Shërbimit Sekret, të cilin ai e përshkroi si “në gjendje të mirë”.
Sipas tij, një tragjedi më e madhe u shmang falë faktit se agjenti kishte veshur jelek antiplumb.
“Sulmi me të shtëna mbrëmë në Washington Hilton ishte një moment i rëndë për të gjithë të pranishmit”, thuhet në deklaratën e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë (WHCA).
Presidentja e kësaj shoqate, Weijia Jiang, vlerësoi reagimin e shërbimeve të sigurisë dhe policisë, duke thënë se ata “mbrojtën mijëra të ftuar”.
Ajo i uroi gjithashtu agjentit të plagosur “shërim të plotë dhe të shpejtë”.
Në deklaratë theksohet gjithashtu se darka vjetore e gazetarëve ka për qëllim të festojë Amendamentin e Parë të Kushtetutës së SHBA-së dhe punën e përditshme të gazetarëve në mbrojtje të tij, ndërsa u vlerësua qetësia dhe guximi i treguar nga të pranishmit gjatë incidentit.
Trump jep intervistën e parë pas të shtënave në Uashington: Ishte një mbrëmje e trishtuar