Kuvendi ratifikon marrëveshjen me Shqipërinë për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”

Me 93 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim Kuvendi i Kosovës ka miratuar ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.

Ministri i Sportit, Blerim Gashani derisa prezantoi projektligjin shpjegoi edhe dobitë që sjellë.

“Organizimi i Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, është një arritje strategjike për Republikën e Kosovës, duke e vendosur atë në hartën e ngjarjeve të mëdha sportive ndërkombëtare, duke dëshmuar kapacitetin institucional për të marrë përsipër përgjegjësitë e këtij niveli.

Në këtë kuadër, marrëveshja me Shqipërinë, paraqet një zgjidhje funksionale dhe të arsyeshme për organizimin e disiplinave të lundrimit, duke reflektuar realitetin gjeografik dhe nevojën për bashkëpunim rajonal. Duke qenë se Kosova nuk ka dalje në det, përfshirja e qytetit të Durrësit si vend zhvillimi për sportet e lundrimit, është një zgjedhje logjike dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare për organizimin e ngjarjeve multisportive.

Kjo marrëveshje nuk e cenon rolin e Kosovës si mikpritëse, por përkundrazi, e fuqizon atë duke treguar fleksibilitet dhe kapacitet për të organizuar lojëra gjithëpërfshirëse në bashkëpunim me partnerët strategjikë. Marrëveshja përcakton qartë ndarjen e përgjegjësive dhe detyrave, ku Kosova si vendi mikpritës mban barrën kryesore financiare për organizimin e lojërave në tërësi. Kjo përfshin mbulimin e shpenzimeve përkatëse organizative dhe logjistike, duke garantuar që standardet e kërkuara ndërkombëtare të respektohen në tërësi“, tha ai.

Deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës, Arbnora Saliu tha se e përkrahin këtë projektligj.

“Sa i përket projektligjit për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, që erdhi për shqyrtim para disa ditëve, ju e dini që ne i kemi dhënë vërejtjet tona lidhur me mënyrën se si janë paraparë procedurat e prokurimit, auditimit, raportimit të shpenzimeve buxhetore si dhe rekrutimit të stafit. Këto vërejtje i kemi adresuar përmes katër amendamenteve. Shqetësimet e njëjta lidhur me këtë projektligj i kanë ngritur edhe zyra e BE-së në Kosovë. Megjithatë, shumica këtu, kjo shumicë e deputetëve kanë qenë kundër amendamenteve të propozuara nga ne dhe fatkeqësisht projektligji ka kaluar në formën fillestare.

Sot ne e kemi sjellë për votim projektligjin numër 10 L-040 për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030. Këtu parashihet bashkëpunimi me Shqipërinë për zhvillimin e disa prej garave të sporteve ujore në Durrës.

Duke e ditur rëndësinë e madhe që ka kjo marrëveshje për zhvillimin e Lojërave Mesdhetare, ne si grup parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës e mbështesim“, tha ajo.

Deputetja e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Adelina Thaçi tha se kanë ngritur shqetësimet e tyre për këtë por se mbështesin marrëveshjen.

“Si anëtare e Komisionit për Kulturë, kam ngritur shqetësimet e mia sa i përket marrëveshjes ndërshtetërore, por Lidhja Demokratike e Kosovës e mbështet këtë marrëveshje ndërkombëtare mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe organizimin e tyre, natyrisht si çdo marrëveshje tjetër ndërkombëtare që është në interesin e vendit“, tha ajo.

Edhe, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj e ka përkrahur, të njëjtën.

“Unë konsideroj që është e një rëndësie të veçantë dhe na vjen mirë që më në fund e kemi një marrëveshje Kosovë-Shqipëri, duke e ditur se nga kjo qeveri kanë munguar në vazhdimësi bashkëpunimet me Republikën e Shqipërisë“, tha ajo./EO

Shija e redaktorit

Akademia “Dukagjini” përmbyllë nismën “Praktika të suksesshme në mësimdhënie dhe...

“Praktika të suksesshme në Mësimdhënie dhe Nxënie”, është nisma e cila nisi pesë muaj më parë e që sot po shndërrohet në një manifestim...

Shtëpia botuese “Dukagjini” sjell në gjuhën shqipe 16 libra të...

Secila një histori ndryshe nga tjetra. Të gjashtëmbëdhjetë libra nga krijimtaria e nobelistit gjermano-zviceran, Hermann Hesse, në gjuhën shqipe i gjeni në Librarinë “Dukagjini”. Promovimi i...

Kosova shteti i parë në Ballkan me angazhime të pranuara...

Republika e Kosovës është bërë shteti i parë nga Ballkani dhe i shtati në botë që i janë pranuar angazhimet në Kartën Globale për...

Të fundit nga rubrika