Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka vlerësuar se procesi për zgjedhjen e presidentit në Kuvendin e Kosovës është duke u zhvilluar në kundërshtim me Kushtetutën dhe rregullat parlamentare, duke e cilësuar situatën si cenim serioz të rendit kushtetues.
Në reagim, IKD ka thënë se mungesa e kuorumit e bën të pavlefshëm zhvillimin e seancës, duke theksuar se Kushtetuta kërkon praninë e së paku 80 deputetëve për nisjen e procedurës së votimit, ndërsa në seancë kanë qenë vetëm 64 deputetë.
Sipas IKD-së, çdo veprim i mëtejshëm në këto rrethana krijon precedent të rrezikshëm dhe cenon parimin e shtetit të së drejtës.
Instituti ka kritikuar edhe mënyrën e thirrjes së mbledhjes së Komisionit për Legjislacion, duke thënë se ajo është bërë vetëm pak minuta para mbajtjes së saj, gjë që sipas tyre e pamundëson pjesëmarrjen efektive të deputetëve dhe e dëmton transparencën dhe legjitimitetin e vendimmarrjes.
Po ashtu, IKD ka folur edhe pëe çështjen e nominimeve dhe nënshkrimeve të deputetëve, duke thënë se procesi është keqinterpretuar në kundërshtim me Kushtetutën dhe praktikën gjyqësore.
Sipas tyre, nënshkrimet e deputetëve konsiderohen të konsumuara në momentin e dorëzimit dhe nuk mund të transferohen apo përdoren për kandidatë të tjerë, duke iu referuar edhe një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
IKD ka vlerësuar se të gjitha këto veprime e bëjnë procesin juridikisht të pavlefshëm dhe rrezikojnë krijimin e krizave të përsëritura institucionale.
Instituti i ka bërë thirrje kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, që të respektojë Kushtetutën dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të mos vazhdojë me procedura nëse nuk janë të pranishëm 80 deputetë.