Prokuroria Themelore në Ferizaj ka bërë të ditur se janë ndaluar tre persona të dyshuar për disa vepra penale, përfshirë keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar, falsifikimin e dokumenteve dhe legalizimin e përmbajtjes së rreme.
Sipas njoftimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit nga Departamenti i Krimeve të Rënda, është iniciuar hetim ndaj tre të dyshuarve, ndërsa me urdhër të Gjykatës Themelore në Ferizaj është realizuar kontroll në shtëpitë dhe lokalet e tyre përcjellëse. Pas kontrollit, të njëjtit janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh.
Të dyshuarit po hetohen për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje në ndihmë” (neni 414 lidhur me nenet 31 dhe 33 të Kodit Penal të Kosovës), “Falsifikimi i dokumenteve” në bashkëkryerje (neni 390) si dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme” (neni 395).
Në lidhje me mbrojtjen e të pandehurve, dy prej tyre fillimisht nuk kanë autorizuar avokat mbrojtës. Me urdhër verbal të prokurorit, është autorizuar shefi i hetimeve në NJHKEK në Ferizaj për të njoftuar Odën e Avokatëve të Kosovës, në mënyrë që të caktohen avokatë sipas detyrës zyrtare.
Oda e Avokatëve në Prishtinë fillimisht ka kërkuar të dhëna për identitetin e të dyshuarve dhe veprat për të cilat ata dyshohen, përpara se të caktojë mbrojtjen ligjore.
Prokuroria ka theksuar se mosbashkëpunimi në këtë proces mund të paraqesë pengesa në zhvillimin e procedurës hetimore dhe ka njoftuar të gjitha palët për pasojat ligjore të moszbatimit të kërkesave të institucioneve të drejtësisë.