Një ndërhyrje e suksesshme kirurgjikale është realizuar në Klinikën e Kirurgjisë Torakale në kuadër të Qendra Klinike Universitare e Kosovës, ku një pacient 28-vjeçar është trajtuar me sukses pas një dëmtimi të rëndë që kishte pësuar muaj më parë.
Sipas njoftimit të QKUK-së, ekipi mjekësor ka realizuar heqjen e plumbit duke përdorur metodën bashkëkohore VATS-Uniportal (Video Assisted Thoracic Surgery – Uniportal), një teknikë minimale invazive që mundëson trajtim më të sigurt dhe rikuperim më të shpejtë për pacientin, njofton Dukagjini.
Tutje bëhet e ditur se ndërhyrja është kryer me sukses të plotë, duke evituar komplikacionet e mundshme dhe duke ruajtur funksionin e mushkërisë.
“Pacienti është në gjendje të mirë shëndetësore dhe po vazhdon rikuperimin pas operacionit”, thuhet në njoftim.