Dënimi i tre të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë dhe heshtja e autoriteteve serbe po interpretohen si dëshmi e një qasjeje politike ndaj rastit, ka deklaruar avokati serb Ivan Niniç.
Sipas tij, vendimi i gjykatës për shpalljen fajtorë të Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, si dhe dënimet e shqiptuara ndaj tyre, përbëjnë një “falimentim moral dhe civilizues” të politikës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Niniç ka thënë se reagimi i Beogradit dhe mungesa e veprimit institucional tregojnë se autoritetet serbe i kanë përdorur të akuzuarit për qëllime politike.
“Kjo nuk është vetëm një disfatë ligjore, ky është një falimentim i rëndë civilizues dhe moral i politikës së tradhtisë së Vuçiqit”, është shprehur ai për N1.
Ai ka shtuar se ngjarjet në veri të Kosovës janë shndërruar në “lojëra politike dhe ekonomike”, ndërsa qytetarët, sipas tij, janë përdorur si “pengje”.
Niniç theksoi gjithashtu se, pavarësisht dënimeve, një nga figurat kryesore në këtë kontekst, Milan Radoiçiq, vazhdon të lëvizë i lirë në Serbi dhe të jetë i përfshirë në aktivitete ekonomike.
“Kjo është prova më e drejtpërdrejtë se regjimi në Beograd i sakrifikoi me vetëdije këta njerëz”, tha ai.
Gjykata ka dënuar Spasojeviqin dhe Toliqin me burgim të përjetshëm, ndërsa Maksimoviqin me 30 vjet burgim.