Një iniciativë e re në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që synon të forcojë mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në NATO, po përballet që në fazat e para me kundërshtim të hapur nga Serbia, duke rikthyer në vëmendje ndarjet e thella politike që vazhdojnë të bllokojnë integrimin euroatlantik të Kosovës.
Rezoluta e paraqitur nga kongresistët amerikanë Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, argumenton se përfshirja e Kosovës në NATO është një domosdoshmëri strategjike për stabilitetin rajonal dhe përballjen me ndikimin e aktorëve destabilizues në Ballkan.
Megjithatë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar menjëherë duke paralajmëruar përpjekje aktive për ta penguar këtë proces.
“Ne së shpejti do të kemi ushtrime të rëndësishme me ta (NATO). Po bisedojmë me ta, shpresojmë që kjo të mos ndodhë. Do të luftojmë që diçka e tillë të mos ndodhë. Mos harroni se ekzistojnë katër vende që janë anëtare të NATO-s… që nuk e kanë njohur Kosovën. Nuk e shoh se si kjo mund të kalojë lehtë, por të presim e të shohim”, tha Vuçiq raporton Tanjug përcjell Dukagjini.
Deklarata e tij nënvizon një realitet të njohur: rruga e Kosovës drejt NATO-s nuk pengohet vetëm nga jashtë, por edhe nga mungesa e konsensusit brenda vetë aleancës. Katër shtete anëtare – Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja – vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Kosovës, duke krijuar një bllokadë strukturore për çdo avancim të mëtejshëm.
Nga ana tjetër, rezoluta amerikane përpiqet ta adresojë pikërisht këtë hendek, duke u bërë thirrje këtyre vendeve të rishqyrtojnë qëndrimet e tyre. Dokumenti thekson se mungesa e njohjes jo vetëm që pengon integrimin e Kosovës, por krijon edhe një boshllëk strategjik që mund të shfrytëzohet nga aktorë kundërshtarë.
“Për më tepër, ndërsa forcat kundërshtare vazhdojnë të destabilizojnë rajonin, shtimi i Kosovës në aleancën e NATO do të shërbente si një kundërpeshë e domosdoshme për t’i dekurajuar përpjekje të tilla armiqësore dhe për të parandaluar një katastrofë tjetër globale në Ballkan”, thuhet në rezolutë.
Kongresisti Keith Self e ka bërë edhe më të qartë dimensionin gjeopolitik të kësaj çështjeje, duke e lidhur drejtpërdrejt me ndikimin në rritje të kundërshtarëve të Perëndimit në Evropë.
“Kosova ka demonstruar një përkushtim të qartë ndaj stabilitetit rajonal dhe përafrimit strategjik me vendet e NATO, por progresi i saj drejt anëtarësimit… po pengohet nga mungesa e njohjes nga një numër i vogël aleatësh”.
“Shtetet e Bashkuara duhet t’i inkurajojnë Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Spanjën t’i rishqyrtojnë qëndrimet e tyre dhe të sigurojnë që Kosova të ketë një rrugë të besueshme dhe të arritshme drejt anëtarësimit”, ka shtuar ai.
