Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se afati ligjor 60-ditor për të kërkuar miratimin e Kongresit për operacionet ushtarake kundër Iranit është “pezulluar”, për shkak të armëpushimit në fuqi.
Duke folur para Senatit, Hegseth argumentoi se pezullimi i luftimeve ndikon edhe në interpretimin e afatit kohor të përcaktuar nga ligji amerikan. “Jemi në një armëpushim dhe kjo, sipas kuptimit tonë, do të thotë se ora 60-ditore ndalet”, u shpreh ai.
E premtja shënon ditën e 60-të që kur Trump njoftoi zyrtarisht Kongresin për sulmet kundër Iranit më 2 mars. Ligji amerikan kërkon që një president të “ndërpresë çdo përdorim të Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara” brenda 60 ditëve nga një njoftim i tillë – përveç nëse Kongresi lejon vazhdimin, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Pavarësisht armëpushimit, të dy palët ende nuk kanë arritur një marrëveshje afatgjatë përmes bisedimeve. Ndërkohë, rruga ujore kyçe, Ngushtica e Hormuzit, vazhdon të jetë praktikisht e mbyllur – duke shkaktuar ndikime ekonomike në mbarë botën.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të senatorëve të enjten, Hegseth tha: “Ne jemi aktualisht në një armëpushim, që sipas kuptimit tonë nënkupton se afati 60-ditor ndalet ose pezullohet gjatë një armëpushimi.”
Megjithatë, kjo pikëpamje u kundërshtua nga senatori demokrat Tim Kaine, i cili paralajmëroi për pasoja ligjore. “Nuk besoj se ligji e mbështet këtë interpretim. Afati mund të përfundojë shumë shpejt dhe kjo do të krijojë një çështje serioze për administratën”, tha ai.
Pjesa përkatëse e ligjit amerikan, rezoluta shumëvjeçare War Powers Resolution, përcakton disa kërkesa për një president “brenda gjashtëdhjetë ditëve kalendarike” nga përdorimi i forcave të armatosura amerikane në luftime.
Ajo kërkon që presidenti të ndalojë përdorimin e këtyre forcave, përveç nëse Kongresi bën një deklaratë formale lufte ose i jep presidentit një zgjatje, deri në 30 ditë, për “tërheqjen e menjëhershme” të trupave.
Ky legjislacion u miratua në vitin 1973 për të kufizuar aftësinë e presidentit të atëhershëm, Richard Nixon, për të vazhduar luftën në Vietnam.
Në rastin e Iranit, përpjekjet e udhëhequra nga demokratët në të dyja dhomat e Kongresit për të kufizuar Trump kanë dështuar vazhdimisht.
Demokratët janë zotuar të vazhdojnë përpjekjet e tyre, duke thënë se këto iniciativa janë një mundësi për të regjistruar qëndrimet e ligjvënësve.
Shumica e republikanëve i kanë kundërshtuar përpjekjet e demokratëve – megjithëse disa kanë sinjalizuar se mund të rishqyrtojnë qëndrimet e tyre pas periudhës 60-ditore.