Në shënimin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka vlerësuar se gazetarët në Kosova vazhdojnë të përballen me sfida serioze dhe të jenë cak i sulmeve.
Sipas AGK-së, një ndër shqetësimet kryesore mbetet ajo që e quan fushatë e vazhdueshme nga ana e Qeveriës së Kosovës dhe partisë në pushtet, Lëvizjës Vetëvendosje, për të delegjitimuar punën e gazetarëve, njofton Dukagjini.
Organizata thekson se mediat dhe gazetarët janë shpesh objekt i sulmeve përmes një fjalori denigrues që synon uljen e besimit të publikut.
“Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, kur sërish theksohet zëshëm rëndësia e medias së lirë dhe të pavarur në shoqëri, gazetarët në Kosovë vazhdojnë të ballafaqohen me një numër sfidash për kryerjen e punës së tyre. Kryesorja mbetet një fushatë e pandalshme nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe partisë politike në pushtet, Vetëvendosje, në përpjekje për të delegjitimuar punën e gazetarëve. Gazetarët dhe mediat mbesin cak i sulmeve nëpërmjet fjalorit denigrues që ka për qëllim uljen e besimit të publikut në raportimin e tyre”, thuhet në njoftimin e AGK-së.
Mes tjerash, AGK-ja i ka bërë thirrje Qeverisë në detyrë, Vetëvendosjes dhe gjithë akterëve politikë që të respektojnë dhe të mos e pengojnë punën e gazetarëve, si faktor kyç në zhvillimin demokratik të vendit.
Po ashtu, AGK-ja ka shprehur shqetësim për zgjedhjen e anëtarëve të bordeve të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) dhe Komisionit të Pavarur për Media (KPM), duke e cilësuar procesin si të shpejtë dhe të komprometuar, me rrezik për kontroll politik të këtyre institucioneve.
“AGK-ja shpreh shqetësim që shumica parlamentare, në një procedurë të shpejtë dhe të komprometuar, ka zgjedhur anëtarët e bordeve të RTK-së dhe KPM-së, që ka rezultuar, siç kemi paralajmëruar, në tendencë të hapur për kontrollimin politik dhe partiak të të dyja institucioneve. AGK-ja vëren përmirësimin në renditjen e Kosovës në Indeksin e Reporterëve Pa Kufij këtë vit, i cili ka ndodhur për shkak të vendimit meritor të Gjykatës Kushtetuese që e ka shpallur antikushtetues Ligjin për KPM-në, të miratuar në Kuvend nga Vetëvendosje. Nëpërmjet këtij vendimi dhe të tjerëve, sistemi gjyqësor mbetet garantuesi më i rëndësishëm i lirisë së medias në Kosovë. Kjo reflektohet edhe në miratimin e Strategjisë së KGJK-së që do t’u japë prioritet rasteve të gazetarëve. AGK-ja bën thirrje për politika më të ashpra ndëshkimore në rastet kur gazetarët janë viktima të sulmeve”, thuhet mes tjerash në reagimin e AGK-së.
Sipas AGK-së, pavarësisht sfidave, gazetarët dhe mediat në Kosovë vazhdojnë të luajnë rol të pazëvendësueshëm në informimin e publikut dhe në forcimin e demokracisë në vend.