Gati një muaj pas arritjes së armëpushimit ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Irani, përpjekjet diplomatike për një marrëveshje përfundimtare mbeten të paqarta dhe të shoqëruara me tensione të vazhdueshme.
Armëpushimi u shpall më 7 prill, pas paralajmërimeve të forta nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili kërcënoi me pasoja të rënda nëse Irani nuk pranonte ndalimin e luftës dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, shkruan CNN, transmeton Dukagjini.
Që nga ajo kohë, janë zhvilluar disa tentativa për negociata.
Më 11 prill, zyrtarë amerikanë dhe iranianë u takuan për 21 orë në Islamabad, por pa arritur marrëveshje.
JD Vance deklaroi se dështimi lidhej kryesisht me refuzimin e Iranit për të hequr dorë nga programi bërthamor, ndërsa negociatori iranian Mohammad Bagher Ghalibaf akuzoi SHBA-në për mungesë besimi.
Ndërkohë, situata në terren është tensionuar, SHBA vendosi bllokadë ndaj porteve iraniane më 13 prill, ndërsa Irani reagoi duke mbyllur disa herë Ngushticën e Hormuzit, një pikë kyçe për tregtinë globale të naftës.
Deklaratat nga të dyja palët kanë qenë kontradiktore. Trump ka kërcënuar vazhdimisht me veprime ushtarake nëse nuk arrihet marrëveshje, ndërsa zyrtarët iranianë kanë paralajmëruar kundërpërgjigje të ashpra në rast sulmesh të reja.
Përpjekjet për një raund të dytë bisedimesh në Pakistan mbetën të paqarta, me të dyja palët që dhanë sinjale të përziera për pjesëmarrje.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, vizitoi Islamabadin, por nuk pati takim të drejtpërdrejtë me delegacion amerikan.
Në ditët e fundit të prillit dhe fillim të majit, janë shkëmbyer propozime të reja, por pa progres konkret.
Trump ka refuzuar një ofertë iraniane për heqjen e bllokadës dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, duke kërkuar garanci më të forta për kufizimin e programit bërthamor të Teheranit.
Më 2 maj, një zyrtar i lartë ushtarak iranian paralajmëroi se një konflikt i ri është “i mundshëm”, ndërsa mediat iraniane raportuan për një përgjigje me 14 pika ndaj propozimit amerikan.
Pavarësisht kontakteve të vazhdueshme – përfshirë edhe biseda telefonike – palët mbeten larg një marrëveshjeje përfundimtare, ndërsa armëpushimi vazhdon të qëndrojë në një situatë të brishtë.