Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në darkën zyrtare të organizuar në Yerevan, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC).
Përmes një njoftimi në Facebook, Kurti bëri të ditur se darka u shtrua nga presidenti i Armenisë, Vahagn Khachaturyan, ndërsa në pritjen zyrtare u mirëprit nga kryeministri armen, Nikol Pashinyan, dhe kryetari i Kuvendit, Alen Simonyan.
Gjatë mbrëmjes, Kurti ka zhvilluar takime dhe bashkëbisedime me liderë dhe përfaqësues të lartë të shteteve pjesëmarrëse, ku është diskutuar për zhvillimet aktuale në Evropë dhe më gjerë, si dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Ai ka bërë të ditur se ka takuar kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, Presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, Presidentin e Konfederatës së Zvicrës, Guy Parmelin, Zëvendëspresidenten e Bullgarisë, Iliana Iotova, Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, Presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatović, Kryeministrin e Norvegjisë, Jonas Gahr Støre, Sekretarin e Përgjithshëm të OSCE, Feridun H. Sinirlioğlu, Kryeministrin e Andorrës, Xavier Espot Zamora, anëtarin e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Denis Bećirović, si dhe Kryeministren e Lihtenshtajnit, Brigitte Haas.