Autoritetet në Irani kanë ekzekutuar të hënën shtatë persona, mes tyre tre burra të dënuar në lidhje me protestat e zhvilluara në fillim të vitit në Mashhad, sipas raportimeve nga organizatat për të drejtat e njeriut.
Këto organizata pretendojnë se të paktën një prej të ekzekutuarve është dënuar pa prova të besueshme, duke ngritur shqetësime për procesin gjyqësor. Ekzekutimet vijnë në një kohë kur arrestimet dhe dënimet në lidhje me protestat – të cilat shpërthyen në dhjetor për shkak të rritjes së kostos së jetesës – janë shtuar ndjeshëm.
Sipas gjyqësorit të Republikës Islamike, dy prej të dënuarve, të moshave 25 dhe 21 vjeç, u akuzuan për bashkëpunim me Mossad dhe u ekzekutuan në burgjet ku po vuanin dënimin. Autoritetet i akuzuan ata se kishin organizuar protestat në zonën Tabarsi dhe se ishin përfshirë në vrasjen e një anëtari të forcave të sigurisë gjatë trazirave.
Një i tretë u ekzekutua për rolin e tij në organizimin e trazirave në të njëjtën zonë. Sipas Fars News Agency, ai kishte marrë pjesë në protesta i armatosur me një shpatë të improvizuar dhe kishte përdorur bomba molotov.
Megjithatë, burime të shoqërisë civile pretendojnë se rrëfimi i tij, i përdorur si provë nga gjyqësori, është marrë nën torturë. Po ashtu, raportohet se familja e tij është vënë nën presion nga autoritetet e sigurisë për të mos bërë publike rastin, me premtime për lehtësim të mundshëm të dënimit.