Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF), kanë urdhëruar evakuimin e banorëve në dy qytete të jugut të Libanit, duke thënë se ndërhyrja vjen si pasojë e shkeljes së armëpushimit nga Hezbollah dhe se ushtria “është e detyruar të veprojë me forcë”.
Më herët, IDF ka akuzuar Hezbollahun për sulme me mortaja ndaj forcave të tij në jug të Libanit, ndërsa grupi ende nuk ka reaguar.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, sulmet izraelite të së hënës kanë lënë të vrarë 17 persona, duke e çuar numrin e viktimave që nga e enjtja në 110, raporton BBC.
Nga ana tjetër, Izraeli thotë se 17 ushtarë të tij janë vrarë gjatë së njëjtës periudhë dhe akuzon Hezbollahun për qindra sulme me raketa dhe dronë.
Hezbollahu nuk ishte nënshkrues i marrëveshjes së armëpushimit mes Izraelit dhe Libanit të arritur muajin e kaluar, por kishte deklaruar se do ta respektonte atë nëse edhe Izraeli do ta zbatonte.
Ushtria izraelite thotë se marrëveshja i lejon të veprojë kundër “sulmeve të planifikuara, të afërta ose në zhvillim”, ndërsa zyrtarët libanezë e kundërshtojnë këtë interpretim dhe e akuzojnë Izraelin për shkelje të përsëritura të armëpushimit.