Irani po shqyrton një propozim të Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë fund luftës, ndërsa ka sinjale se palët mund të jenë afër një marrëveshjeje, raportojnë zyrtarë dhe media ndërkombëtare.
Sipas një raporti të Axios, Shtëpia e Bardhë beson se mund të jetë afër një memorandum mirëkuptimi me 14 pika me Iranin, i cili do të shërbente si kornizë për negociata të mëtejshme për programin bërthamor.
Dokumenti, siç raportohet, përfshin pezullimin e pasurimit bërthamor nga Irani, heqjen e sanksioneve dhe rikthimin e lëvizjes së lirë në Ngushticën e Hormuzit.
Megjithatë, zyrtarët amerikanë theksojnë se kushtet do të varen nga arritja e një marrëveshjeje përfundimtare.
Irani ka konfirmuar se propozimi është ende në shqyrtim dhe se pas përfundimit të vlerësimit do t’ia përcjellë qëndrimin e tij ndërmjetësuesve pakistanezë.
“Propozimi amerikan është ende në shqyrtim nga Irani dhe pas përfundimit do t’ia komunikojmë mendimin palës pakistaneze,” ka deklaruar zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Ismail Baghaei.
Ndërkohë, një zëdhënës i komisionit parlamentar iranian për siguri kombëtare e ka quajtur propozimin amerikan si “listë dëshirash”, duke thënë se Irani është i gatshëm të përgjigjet nëse nuk arrihet marrëveshje.
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se janë zhvilluar “bisedime shumë të mira” me Iranin dhe se një marrëveshje është e mundshme, por ka paralajmëruar edhe për pasoja në rast refuzimi.
