Dodik shpall Ratko Mladiqin “hero kombëtar”, ekspertët boshnjak kërkojnë hetim penal

Milorad Dodik, ish-president i Republikës Srpska, ka nxitur reagime të ashpra pasi në një emision televiziv e quajti Ratko Mladiqin “hero të këtij populli”.

Dodik deklaroi se Mladiq ishte “komandanti suprem i Ushtrisë së Republikës Srpska dhe hero kombëtar”, ndërsa kujtoi se kishte dëshmuar në Hagë në mbrojtje të Mladiqit dhe Radovan Karaxhiq.

Të dy janë dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime të tjera lufte në Bosnje dhe Hercegovinë.

Ai akuzoi gjithashtu Mekanizmi Ndërkombëtar Rezidual për Tribunalet Penale për trajtim “çnjerëzor” ndaj Mladiqit dhe Karaxhiqit, duke theksuar gjendjen e rëndë shëndetësore të Mladiqit.

“Karaxhiq dhe Mladiq udhëhoqën Republikën Sërpska në kohët më të vështira dhe sakrifikuan komoditetin personal për lirinë e popullit”, tha Dodik.

Ekspertët juridikë dhe përfaqësuesit e viktimave të luftës vlerësojnë se deklaratat e Dodikut mund të përbëjnë vepër penale sipas ndryshimeve të Kodit Penal të Bosnjës, të vendosura në vitin 2021 nga ish-Përfaqësuesi i Lartë Valentin Inzko, të cilat ndalojnë mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës.

Murat Tahiroviq tha se mënyra si Dodik interpreton rolin e Mladiqit dhe Karaxhiqit gjatë luftës përbën elemente të qarta të veprës penale, por shprehu dyshime se Prokuroria e Bosnjës do të ndërmarrë hapa.

“Janë dënuar qytetarë të zakonshëm për raste të ngjashme, por jo figurat kryesore politike për të cilat u miratua ky ligj”, deklaroi Tahiroviq.

Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës ka dënuar më parë Miodrag Maliq me tre vjet burgim pasi kishte shfaqur fotografi të Mladiqit dhe Karaxhiqit gjatë një tubimi politik në Banja Llukë.

Po ashtu, Vojin Pavloviq është dënuar me tre vjet e gjysmë burgim për lavdërimin e Mladiqit dhe arsyetimin e gjenocidit.

Ekspertja juridike Lejla Brciq vlerësoi se deklarata e fundit e Dodikut përmban elemente të mohimit dhe arsyetimit të gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit.

Sipas saj, pesha e deklaratës është edhe më e madhe për shkak të ndikimit publik që ka Dodik si figurë politike.

Avokatja Sabina Mehiq tha se Prokuroria e Bosnjës mund të hapë hetim edhe pa kallëzim penal formal.

“Artikulli dhe deklaratat e Dodikut për Ratko Mladiqin si hero përmbajnë qartë elemente të veprës penale. Nevojitet vetëm vullnet për ta proceduar rastin”, tha Mehiq.

Sipas të dhënave të publikuara më herët nga media investigative Detektor, nga viti 2021 deri në fund të vitit 2022, prokurorët shtetërorë në Bosnje kishin mbyllur 27 raste që lidhen me mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës pa ngritur aktakuza.

Ekspertët paralajmërojnë se mosveprimi i institucioneve mund të inkurajojë raste të tjera të mohimit të gjenocidit dhe nxitjes së urrejtjes ndëretnike në Bosnje dhe Hercegovinë.

Shija e redaktorit

Manga Month – në Librarinë Dukagjini

Gjatë muajit maj, Libraria Dukagjini po shndërrohet në një pikë takimi për dashamirësit e kulturës japoneze përmes iniciativës “Manga Month”, e realizuar në bashkëpunim...

Reporterët pa Kufij: Kosova shënon përparim në lirinë e medias

Kosova ka shënuar përparim në lirinë e medias, sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij, duke u renditur në vendin...

Akademia “Dukagjini” përmbyllë nismën “Praktika të suksesshme në mësimdhënie dhe...

“Praktika të suksesshme në Mësimdhënie dhe Nxënie”, është nisma e cila nisi pesë muaj më parë e që sot po shndërrohet në një manifestim...

Të fundit nga rubrika