Më 13 maj promovohet libri “Më shumë se thonj” i autores Vala Shasivari

Në një mbrëmje që premton të sjellë finesë, profesionalizëm dhe frymëzim, autorja Vala Shasivari vjen para publikut me librin “Më shumë se thonj (Estetika e thonjve – bazat e manikyrit)”. Promovimi do të mbahet më 13 maj, duke filluar nga ora 18:00, në ambientet e librarisë “Dukagjini”.

Ky libër është përmbledhje me të dhëna të dobishme e profesionale për mirëmbajtjen dhe trajtimin estetik të thonjve nga autorja Vala Shasivari, e cila ka përvojë mbi njëzetvjeçare dhe është aftësuar në qendrat më prestigjioze në Belgjikë e Zvicër.
Libri përbëhet nga katër kapituj, duke nisur nga historiku i zhvillimit të estetikës së thonjve, për të vazhduar me njohuritë bazë mbi anatominë, higjienën dhe sëmundjet shoqëruese. Një pjesë e rëndësishme i kushtohet procesit të detajuar të punës – nga përdorimi i veglave deri te sterilizimi dhe trajtimi estetik i plotë i duarve dhe i këmbëve. Në përmbyllje, autorja hap një dritare mbi mundësitë që ofron ky profesion, duke e paraqitur atë si një rrugë të qëndrueshme dhe kreative në karrierë.

Vala Shasivari, e lindur në Pejë, është profesioniste e përkushtuar në fushën e estetikës me mbi 21 vjet përvojë. Ajo ka ndërtuar një karrierë të suksesshme, duke u specializuar veçanërisht në manikyr dhe pedikyr, ku pasioni dhe përkushtimi i saj reflektohen në çdo detaj të punës. E trajnuar në akademi prestigjioze me standarde zvicerane e belge, si “Royal Beauty”, “Pronails Academy”, “Phi Academy” etj., Vala ka ngritur vazhdimisht nivelin e saj profesional sipas standardeve ndërkombëtare. Përveç praktikës së përditshme, ajo është edhe trajnerе e certifikuar, duke edukuar dhe certifikuar ndër vite shumë gjenerata të reja profesionistësh në këtë fushë. Me kalimin e viteve në këtë industri, Vala ka krijuar edhe brendin e saj të produkteve profesionale për thonj, me qëllim lehtësimin e punës dhe ngritjen e standardeve për artistët e rinj. E përkushtuar ndaj zhvillimit të vazhdueshëm, ajo vazhdon studimet në estetikë dhe kozmetologji, duke e konsideruar profesionin e saj jo vetëm si karrierë, por si mision dhe dashuri të thellë për bukurinë.

Promovimi i librit pritet të mbledhë dashamirë të librit, profesionistë të estetikës dhe të gjithë ata që kërkojnë frymëzim nga histori suksesi. Një mbrëmje që premton të jetë jo vetëm informative, por edhe motivuese për këdo që beson në fuqinë e dijes dhe të artit.