Der Spiegel: Shërbimet sekrete në Gjermani zbulojnë operacione sabotazhi dhe atentatesh të lidhura me Rusinë

Gjermania po përballet me një valë të intensifikuar operacionesh hibride ruse që synojnë destabilizimin politik, dobësimin e mbështetjes për Ukraina dhe goditjen e infrastrukturës kritike gjermane.

Paralajmërimi vjen nga revista Der Spiegel, e cila flet për një “luftë në hije” të zhvilluar nga inteligjenca ruse në territorin gjerman.

Sipas raportit, shërbimet sekrete gjermane besojnë se Rusia tashmë e konsideron Gjermaninë si kundërshtarin kryesor në Evropë për shkak të rolit të saj në mbështetjen politike, ekonomike dhe ushtarake ndaj Ukrainës.

Një nga zhvillimet më shqetësuese lidhet me depërtimin e hakerëve rusë në komunikimet e koduara të elitës politike gjermane përmes aplikacionit Signal, i cili deri tani konsiderohej një nga platformat më të sigurta për komunikim.

Në mesin e objektivave të sulmeve përmenden kryetarja e Bundestagut, Julia Klöckner, dy ministre gjermmane ka zbuluar se vetëm gjatë janarit 2026 mbi 13 mijë e 700 numra telefoni ishin shënjestër e një programi malinj rus të njohur si “ApocalypseZ”.

Sipas raportit, ekzistojnë dyshime se përmes këtyre depërtimeve mund të jenë komprometuar edhe komunikimet e kancelarit gjerman Friedrich Merz.

Raporti thekson se pas dëbimit të qindra diplomatëve rusë nga vendet evropiane, të dyshuar si agjentë të inteligjencës, Moska ka ndryshuar taktikat operative. Përveç agjentëve profesionistë të GRU dhe FSB, Rusia po përdor gjithnjë e më shumë persona të rekrutuar përmes Telegram për detyra propagandistike, sabotazhe dhe operacione të fshehta.

Një nga incidentet më serioze përmendet ai në Leipzig/Halle Airport, ku një pako e ardhur nga Lituania mori flakë para se të ngarkohej në avion. Hetuesit dyshojnë se pajisja ndezëse ishte fshehur brenda një jastëku masazhi dhe se operacioni lidhej me inteligjencën ushtarake ruse.

Autoritetet gjermane kanë parandaluar gjithashtu disa plane të dyshuara për atentate ndaj personave të lidhur me industrinë ushtarake që furnizon Ukrainën me dronë dhe pajisje luftarake.

Në dy raste të ndara, një shtetas ukrainas dhe një shtetase rumune janë arrestuar nën dyshimet për mbledhje informacionesh sekrete dhe survejim të pronarëve të fabrikave të dronëve në Gjermani. Hetuesit besojnë se të dhënat mund të përdoreshin për atentate të mundshme.

Sipas Der Spiegel, operacionet ruse po shtrihen edhe ndaj ish-zyrtarëve të inteligjencës ukrainase dhe ushtarëve ukrainas që jetojnë në Gjermani. Në Frankfurt dhe Hagen janë arrestuar persona që dyshohet se po vëzhgonin ish-zyrtarë ukrainas për qëllime eliminimi fizik.

Objektiv i rëndësishëm i operacioneve hibride mbetet edhe infrastruktura kritike gjermane. Në qytetin Minden u zbulua një kamerë e fshehur pranë një stacioni treni që përdoret si nyje për transportin e armatimeve drejt Ukrainës.

Përballë këtyre kërcënimeve, Berlini po ndryshon strategjinë kombëtare të sigurisë. Sipas raportit, shërbimet sekrete gjermane po transformohen në struktura më aktive dhe ofensive, duke planifikuar përdorimin e inteligjencës artificiale, teknologjisë së njohjes së fytyrës dhe depërtimit në pajisjet digjitale të të dyshuarve.

Ndryshime të rëndësishme priten edhe në BND, i cili mund të marrë kompetenca për operacione aktive kibernetike dhe sabotazhe jashtë territorit gjerman, përfshirë aksione kundër objekteve ushtarake dhe fabrikave ruse të dronëve.

Sipas Der Spiegel, mesazhi i ri i Berlinit është se Gjermania nuk mund të mbetet më vetëm në rol mbrojtës përballë luftës hibride të Moskës dhe duhet të jetë e gatshme të reagojë me masa të ngjashme kundër Rusisë.

Shija e redaktorit

Manga Month – në Librarinë Dukagjini

Gjatë muajit maj, Libraria Dukagjini po shndërrohet në një pikë takimi për dashamirësit e kulturës japoneze përmes iniciativës “Manga Month”, e realizuar në bashkëpunim...

Reporterët pa Kufij: Kosova shënon përparim në lirinë e medias

Kosova ka shënuar përparim në lirinë e medias, sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij, duke u renditur në vendin...

Akademia “Dukagjini” përmbyllë nismën “Praktika të suksesshme në mësimdhënie dhe...

“Praktika të suksesshme në Mësimdhënie dhe Nxënie”, është nisma e cila nisi pesë muaj më parë e që sot po shndërrohet në një manifestim...

Të fundit nga rubrika