Anija turistike e goditur nga hantavirusi mbërrin në Tenerife

Pothuajse një muaj pasi pasagjeri i parë vdiq nga hantavirusi në bordin e anijes turistike MV Hondius, ajo më në fund ka mbërritur në Tenerife të Ishujve Kanarie.

Pothuajse një muaj pasi pasagjeri i parë vdiq nga hantavirusi në bordin e anijes turistike MV Hondius, ajo më në fund ka mbërritur në Tenerife të Ishujve Kanarie.

Përgatitje intensive janë zhvilluar për ta pritur anijen në portin e Granadillas dhe për të ndihmuar më shumë se 100 persona të zbresin në tokë me qëllim riatdhesimin e tyre.

Hondius mbërriti pranë portit para agimit, por edhe tani nuk do të lejohet të afrohet në breg: një perimetër sigurie prej një milje detare është vendosur rreth anijes gjatë afrimit të saj në ishull.

Operacioni kompleks për të parandaluar përhapjen e variantit të rrallë Andes të këtij virusi është përshkruar nga ministrja spanjolle e Shëndetësisë si “i paprecedentë”.

Operacioni, që përfshin 23 shtete, është planifikuar me kujdes maksimal për sigurinë dhe për t’iu përgjigjur shqetësimeve të banorëve vendas të pakënaqur. Mes tyre është edhe presidenti i Ishujve Kanarie, i cili ka deklaruar se “nuk do të jetë i qetë” derisa të gjithë pasagjerët dhe ekuipazhi të largohen.

“Rreziku i infektimit për popullatën e përgjithshme është i ulët”, përsëriti të shtunën ministrja e Shëndetësisë, Mónica García.

“Ne besojmë se alarmizmi, dezinformimi dhe konfuzioni janë në kundërshtim me parimet bazë të ruajtjes së shëndetit publik.”

Masat e sigurisë në port, një zonë industriale në jug të Tenerife-s, janë shtuar ndjeshëm të shtunën. Policia ushtarake spanjolle dhe ekipet për reagim ndaj fatkeqësive kanë ngritur çadra të mëdha pritëse, ndërsa qasja në vijën bregdetare është kufizuar.

Pasi Hondius u vendos në pozicionin e duhur, rreth orës 07:00 të mëngjesit të së dielës (06:00 GMT), ekipet mjekësore pritej të hipnin në bord për të kontrolluar të gjithë për shenja të virusit. Raportet e fundit thonë se askush tjetër nuk po shfaq simptoma.

Më pas, personat do të ndahen në grupe sipas shtetësisë dhe do të transportohen drejt bregut me varka të vogla. Deri atëherë, avionët charter pritet të jenë gati në pistën e aeroportit lokal për riatdhesimin e tyre.

Më herët të shtunën, ministri i Brendshëm deklaroi se Mbretëria e Bashkuar, SHBA-ja dhe disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian po dërgonin avionë. Gjithashtu, avionë të pajisur mjekësisht janë në gatishmëri, në rast se dikush duhet të dërgohet në izolim.

Ndërkohë, shtetasit spanjollë do të transportohen në Madrid, ku do t’i nënshtrohen karantinës së detyrueshme në spitalin ushtarak Gomez Ulla. Izolimi i plotë mund të jetë shumë i vështirë, pasi virusi ka një periudhë inkubacioni deri në nëntë javë, dhe ende nuk është e qartë sa gjatë do të zgjasë karantina për personat në Spanjë apo vende të tjera.

Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, i cili ndodhet tani në Tenerife për të mbikëqyrur zbarkimin e pasagjerëve, ka lavdëruar autoritetet për “reagimin e tyre të fortë dhe efektiv” ndaj këtij shpërthimi.

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika