“Putini mbeti pa tanke për Ditën e Fitores: Lufta në Ukrainë zbuloi dobësinë e Kremlinit.”

Sheshi i Kuq në Moskë këto ditë është mbushur me simbole të fitores. Banderola të mëdha me mbishkrimin “Fitorja”, ekrane video dhe instalacione përkujtojnë përvjetorin e fitores së Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore, i cili në Rusi shënohet më 9 maj si festa më e rëndësishme shtetërore.

Megjithatë, parada ushtarake e këtij viti do të jetë dukshëm më e thjeshtë se më parë – për herë të parë pas gati dy dekadash, në Sheshin e Kuq nuk do të ketë tanke dhe sisteme raketore, por vetëm ushtarë.

BBC vlerëson se pikërisht mungesa e pajisjeve ushtarake tregon se sa shumë lufta në Ukrainë po e shteron Rusinë dhe se konflikti nuk po zhvillohet sipas planeve të Kremlinit. Deputeti rus Jevgenij Popov thotë se tanket janë më të nevojshme në front sesa në paradë.

“Tanket tona tani janë të zëna. Po luftojnë”, ka deklaruar Popov për BBC.

Megjithatë, fakti që parada është zvogëluar për arsye sigurie nga shumëkush shihet si shenjë dobësie. Dronët ukrainas gjatë muajve të fundit kanë sulmuar gjithnjë e më shpesh objektiva thellë brenda territorit rus. Vetëm disa ditë para paradës, dy persona u vranë dhe mbi 30 u plagosën në një sulm me raketa dhe dron në qytetin Çeboksari. Po ashtu, një dron ka goditur një ndërtesë luksoze banimi vetëm disa kilometra larg Kremlinit.

Autoritetet ruse pretendojnë se ekziston rrezik serioz nga sulme ukrainase gjatë shënimit të Ditës së Fitores. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, ka folur për “kërcënim terrorist”, ndërsa Ministria ruse e Mbrojtjes ka kërcënuar me sulme masive raketore ndaj qendrës së Kievit nëse Moska sulmohet më 9 maj.

Reagimet e qytetarëve të Moskës janë të ndara. Disa mendojnë se mungesa e tankeve është e arsyeshme për arsye sigurie, ndërsa të tjerë besojnë se kjo tregon frikë nga ana e Rusisë.

“Parada është simbol i forcës sonë. Ndoshta megjithatë duhet të tregonim diçka”, ka thënë një banor i Moskës për BBC.

Lufta në Ukrainë tani po zgjat më shumë sesa Lufta e Bashkimit Sovjetik kundër Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore, e cila nga rusët quhet “Lufta e Madhe Patriotike”. Megjithatë, Moska ende nuk ka arritur një fitore vendimtare.

BBC thekson gjithashtu se në Rusi po rritet lodhja nga lufta, si dhe pakënaqësia për rritjen e kostos së jetesës dhe kufizimet në internet që autoritetet po i vendosin me arsyetimin e mbrojtjes nga dronët ukrainas. Gjatë Ditës së Fitores, interneti mobil do të kufizohet edhe më shumë në Moskë.

Në fshatin Rublyovo pranë Moskës janë mbajtur përkujtime për të rënët në Luftën e Dytë Botërore, ku kanë marrë pjesë edhe ushtarë rusë që kanë luftuar në Ukrainë. Njëri prej tyre ka thënë se Rusia është “vend i fitimtarëve” dhe se do të “mbetet gjithmonë e tillë”.

Megjithatë, më shumë se katër vjet nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, fitorja që Kremlini e premton ende duket e largët.

Shija e redaktorit

Manga Month – në Librarinë Dukagjini

Gjatë muajit maj, Libraria Dukagjini po shndërrohet në një pikë takimi për dashamirësit e kulturës japoneze përmes iniciativës “Manga Month”, e realizuar në bashkëpunim...

Reporterët pa Kufij: Kosova shënon përparim në lirinë e medias

Kosova ka shënuar përparim në lirinë e medias, sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij, duke u renditur në vendin...

Akademia “Dukagjini” përmbyllë nismën “Praktika të suksesshme në mësimdhënie dhe...

“Praktika të suksesshme në Mësimdhënie dhe Nxënie”, është nisma e cila nisi pesë muaj më parë e që sot po shndërrohet në një manifestim...

Të fundit nga rubrika