Nuk ka asnjë shenjë për një shpërthim më të madh të hantavirusit pas evakuimit të pasagjerëve nga një anije turistike e prekur nga virusi, ka deklaruar drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Megjithatë, ai paralajmëroi se situata mund të ndryshojë dhe se raste të reja ende mund të konfirmohen në ditët apo javët në vijim.
“Për momentin nuk ka shenja që po shohim fillimin e një shpërthimi më të madh,” tha Tedros në një konferencë për media në Madrid. “Por situata mund të ndryshojë dhe, duke marrë parasysh periudhën e gjatë të inkubacionit të virusit, është e mundur të shohim raste të tjera.”
Anija “MV Hondius” u nis nga ishulli Tenerife në Spanjë dhe aktualisht po lundron drejt portit të Rotterdamit në Holandë. Dy fluturime me grupin e fundit prej 28 pasagjerësh u ulën në Eindhoven të martën.
Deri më tani, tre persona kanë humbur jetën pas udhëtimit në këtë anije, ndërsa shtatë raste të infektimit janë konfirmuar, përfshirë një shtetas amerikan dhe një francez që tashmë janë kthyer në vendet e tyre.
Ndërkohë, 12 punonjës të një spitali në qytetin Nijmegen janë vendosur në karantinë si masë parandaluese, pas dyshimeve për ekspozim gjatë trajtimit të një pacienti. Sipas spitalit, ata nuk kishin ndjekur plotësisht protokollet e sigurisë gjatë trajtimit të mostrave të gjakut dhe urinës.
OBSH thekson se rreziku për një përhapje të madhe mbetet i ulët, por nënvizon se puna për kontrollin e situatës nuk ka përfunduar ende, raporton BBC.
Virusi hantavirus zakonisht bartet nga brejtësit, ndërsa transmetimi nga njeriu te njeriu është i rrallë, por i mundshëm në rastin e variantit Andes, për të cilin dyshohet se janë infektuar disa pasagjerë gjatë udhëtimit në Amerikën e Jugut.
Simptomat përfshijnë temperaturë, lodhje të madhe, dhimbje muskujsh, probleme gastrointestinale dhe vështirësi në frymëmarrje.
Në total, 122 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit janë riatdhesuar në Holandë dhe vendet e tyre përmes fluturimeve të organizuara nga shtetet përkatëse, ndërsa 27 persona ende ndodhen në bord.
Autoritetet holandeze dhe kompania operuese “Oceanwide Expeditions” kanë bërë të ditur se anija do t’i nënshtrohet dezinfektimit të plotë para mbërritjes në Rotterdam.