Derisa në Serbia studentët vazhdojnë protestat masive kundër regjimit të presidentit Aleksandër Vuçiq, në Kumanovë është organizuar një tubim në mbështetje të liderit serb para Konsullatës së Serbisë.
Tubimi u organizua nga shoqata serbe e Kumanovës dhe mblodhi kryesisht qytetarë e simpatizantë më të moshuar, të cilët me flamuj serbë, këngë nacionaliste dhe thirrje pro-Vuçiqit shprehën mbështetjen për presidentin serb.
“Ky është tubim për përkrahje të Vuçiqit. Qytetarët serbë dhe maqedonas janë popuj vëllazëror dhe përse të mos i japim përkrahje popullit serb. Ata studentë nuk janë legjitimë, ndërsa presidenti i Serbisë është legjitim”, deklaroi një pjesëmarrës maqedonas raporton Alsat.m përcjell Dukagjini.
Një tjetër pjesëmarrës tha se kishin dalë për të mbështetur Vuçiqin, pavarësisht protestave të studentëve në Serbi.
Në mesin e të pranishmëve upa edhe një grua nga Kuba, e cila tha se ndodhej në tubim, por nuk fliste mirë maqedonisht.
Tubimi u zhvillua nën masa të shtuara sigurie dhe zgjati vetëm disa minuta.
Ky organizim vjen në një moment të ndjeshëm politik, vetëm një javë pasi studentët protestues në Serbi publikuan një memorandum lidhur me Kosovën, dokument që ka nxitur reagime.
Ndërkohë, protesta në Kumanovë u zhvillua pak ditë pas protestave të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për çështjen e gjuhës shqipe.
Kurse në Beograd sot sipas raportimeve të mediave serbe, parashihet të jetë njëra nga protestat më masive të thirrura nga studentët.