Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në Prishtinë një delegacion bipartizan të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përbërë nga kongresistët Keith Self dhe Suhas Subramanyam.
Gjatë takimit, u diskutua për çështje që lidhen me sigurinë dhe stabilitetin në rajon, me theks të veçantë në mbrojtjen, paqen dhe bashkëpunimin strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.
Kurti ka falënderuar kongresistët për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, veçanërisht për përkrahjen në procesin e anëtarësimit në NATO, si dhe për rezolutat në Dhomën e Përfaqësuesve që mbështesin aspiratat euroatlantike të Kosovës dhe rolin e forcave amerikane në kuadër të KFOR-it.
Në takim u trajtua edhe përputhshmëria e politikës së jashtme të Kosovës me partnerët ndërkombëtarë, si dhe investimet në fushën e mbrojtjes. Po ashtu, u diskutua për zhvillimin ekonomik, me fokus në teknologji dhe tregti, si dhe për reformat në sistemin arsimor.
Kryeministri në detyrë Kurti theksoi gjithashtu rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik me SHBA-në në sektorët strategjikë.
Para vizitës në Prishtinë, delegacioni amerikan kishte qëndruar në Luginën e Preshevës. Kurti ka theksuar nevojën për trajtim të barabartë të të drejtave të pakicave në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.