Emini: Serbia po përdor “viktimizimin” si strategji të ndërhyrjes hibride në zgjedhjet e 7 qershorit

Hulumtuesi i Institutit Octopus, Ridvan Emini, përmes një postimi në Facebook ka reaguar lidhur me ndërhyrjen hibride të Serbisë në procesin zgjedhor në Kosovë, duke argumentuar se strategjia e “viktimizimit” po përdoret për të ruajtur ndikimin destabilizues të Beogradit.

Sipas Eminit, deklaratat e drejtorit të së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq pas marrjes në kontroll të stacioneve hekurudhore në Zveçan dhe Leposaviq nga institucionet e Kosovës, përfaqësojnë një qasje të koordinuar për të ndikuar në zgjedhjet e 7 qershorit.

“Deklaratat e Petkoviqit dhe Vuçiqit pas marrjes së stacioneve hekurudhore në Zveçan dhe Leposaviq nga institucionet e Kosovës, përbashkohen në strategjinë e ‘viktimizimit’, duke projektuar normalizim të ndërhyrjes së Serbisë në zgjedhjet e 7 qershorit”, ka shkruar Emini.

Ai vlerëson se thirrjet e Petkoviqit për mbështetje të Listës Serbe dhe sulmet ndaj ministrit Nenad Rashiq nuk përbëjnë vetëm presion politik ndaj komunitetit serb në Kosovë, por edhe përpjekje për të penguar pluralizmin politik dhe për të kontrolluar përfaqësimin e serbëve në institucionet kosovare.

Në analizën e tij, Emini ndalet edhe te deklaratat e presidentit serb Aleksandër Vuçiq, të cilat i konsideron pjesë të të njëjtës strategji. Sipas tij, referencat e Vuçiqit për “momente të favorshme” në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe insistimi në Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe tregojnë synimin e Beogradit për ta përdorur këtë mekanizëm si instrument politik kundër shtetësisë së Kosovës.

“Pavarësisht narrativave të ndryshme mashtruese, që të dy zyrtarët serbë lidhen në strategjinë e ‘viktimizimit’: pretendojnë se janë pala e kërcënuar dhe ndërhyjnë në Kosovë, të maskuar si ‘mbrojtës të serbëve’”, thekson Emini.

Në fund, ai paralajmëron se ndërhyrjet e Serbisë nuk duhet të shihen vetëm si sfidë për integritetin zgjedhor, por si çështje që prekin drejtpërdrejt sovranitetin e Kosovës dhe sigurinë rajonale.

“Ndërhyrjet e Serbisë nuk janë vetëm çështje të integritetit zgjedhor, por para së gjithash, janë çështje e sovranitetit shtetëror dhe kërcënim për sigurinë kombëtare e rajonale”, përfundon Emini.

Shija e redaktorit

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Komisionerja Kos: S’mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimi Europian, Marta Kos deklaroi se nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën, duke e cilësuar vendin pjesë...

Kongresmeni amerikan Keith Self: Kosova aleate më besnike e SHBA-së

Kongresisti amerikan Keith Self e ka cilësuar Kosovën si një nga partnerët më të afërt dhe më besnikë të Shteteve të Bashkuara në Evropë. “Unë...

Të fundit nga rubrika