Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka deklaruar se zhvillimet e fundit politike po e vërtetojnë qëndrimin e partisë së tij se Kosovës po i mungon një opozitë e mirëfilltë.
Molliqaj tha se deklaratat e liderëve të partive kryesore opozitare për bashkëpunim pas zgjedhjeve tregojnë se dallimet mes tyre dhe pushtetit nuk janë aq të mëdha sa janë paraqitur para qytetarëve.
“Fillimisht u duk si strategji, më pas si plan. Ditët që kaluan e vërtetuan me pikë e me presje përshkrimin tonë se vendit i mungon opozita. Arian Tahiri, Bedri Hamza, Lumir Abdixhiku, Vjosa e re – krejt çka po thonë është se pas zgjedhjeve duhet të ulen bashkë dhe se para zgjedhjes së presidentit duhet të merren vesh për kryeministrin dhe Kuvendin”, ka deklaruar ai.
Sipas Molliqajt, partitë opozitare po synojnë rritjen e pushtetit të tyre përmes një marrëveshjeje me kryeministrin aktual, Albin Kurti.
“Praktikisht na kanë çuar në zgjedhje me shpresën që të rriten pak dhe të marrin më shumë pushtet me Kurtin. Akuza që na është bërë neve se po luftojmë opozitën, po del se nuk ka opozitë. Asnjëri prej tyre nuk po thotë se e mohon Albin Kurtin për kryeministër”, tha ai.
Molliqaj shtoi se nëse partitë e tjera konsiderojnë se vendi nuk ndodhet në një situatë normale politike, atëherë duhet ta sqarojnë para qytetarëve qëndrimin e tyre ndaj qeverisjes së deritanishme.
“Le të dalin dhe të thonë se Albin Kurti nuk është autoritar, nuk është i rrezikshëm për Kosovën, nuk i ka bërë dëme Kosovës dhe nuk i ka prishur marrëdhëniet me ndërkombëtarët. Nëse i kanë thënë këto gjëra deri sot, atëherë pse janë të gatshëm të bashkëpunojnë me të pas zgjedhjeve?”, u shpreh ai.
Sipas kreut të PSD-së, zgjedhjet duhet të shërbejnë për t’i dhënë qytetarëve mundësinë të vendosin për drejtimin politik të vendit dhe jo për marrëveshje të parapërgatitura mes partive.
“Në këtë kuptim, kauza jonë për t’i ofruar vendit opozitë ka qenë jo vetëm e sinqertë, por edhe racionale. Ne nuk kemi pretenduar se do t’i fitojmë zgjedhjet, por kemi qenë të saktë në vlerësimin tonë. Sot po shihet se askush nuk ka dashur të mbetet në opozitë”, përfundoi Molliqaj.
Duke folur për zhvillimet brenda Partisë Demokratike të Kosovës, Dardan Molliqaj ka akuzuar një grup brenda partisë për ndikim të tepruar në vendimmarrje. Sipas tij, procesi i afrimit të PDK-së me Fatmir Limajn është kundërshtuar nga figura të caktuara brenda partisë. “PDK-ja me Uran Ismailin. Klika e tij e ka marrë peng partinë. Në një proces të përafrimit me Fatmir Limajn, ata kanë kushtëzuar se nëse merret Limaj, ne as nuk futemi fare në lista”, ka deklaruar Molliqaj.