Kandidatja për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se mënyra e qeverisjes së saj ka ndikuar në thellimin e krizave politike në vend.
Lushaku-Sadriu, e ftuar në “Debat Plus” në Dukagjin, u shpreh se Lëvizja Vetëvendosje që ka fituar 51% nuk ka treguar, sipas saj, aftësi për të prodhuar zgjidhje apo për të ndërtuar bashkëpunim me subjektet e tjera politike.
“Po shkojmë në zgjedhje se një parti që i ka fituar 51% s’ka pas potencial me prodhu zgjidhje, s’ka pas aftësi me dialogu me të tjerët edhe me gjete zgjidhje dhe ka mbjell një farë përgjatë historisë së Kosovës që nuk ka ndërtuar raporte partneriteti me të tjerët – është tregu historikisht si jo bashkëpunuese dhe kulmoj me këtë herë duke e fut vendin në krizë permanente. Kjo është një dëshmi që përveç se nuk e njeh dialogun dhe kompromisin as vendimet e Gjykatës Kushtetuese, e cenon rëndë kushtetutshmërinë e Kosovës dhe funksionalitetin e demokracisë që e kemi ndërtuar për vite me radhë. Dhe tregon se e adhuron krizën për t’i sunduar qytetarët me propagandë dhe për të mbetur në qeverisje”, u shpreh Lushaku-Sadriu.
Sipas, Lushaku-Sadriut, kjo qasje e VV-së ka kulmuar me krijimin e një “krize permanente”, duke e penguar funksionimin normal të institucioneve të vendit.
Lushaku-Sadriu kritikoi gjithashtu qasjen e Vetëvendosjes në raport me ndarjen e posteve institucionale, duke përmendur edhe çështjen e zgjedhjes së presidentit.
“Arroganca si parti politike është kur ti i merr 51% dhe tenton me ia imponu zgjidhjen partive të tjera, kjo përveç se tregon se ti nuk je i gatshëm për kompromise me të tjerët tregon që nuk je i gatshëm as me gjet njerëz të përbashkët për postet të cilat kërkojnë balancë politik. Për presidentin është kërkuar një emër që është mbi partiak ose me marrëveshje politike e me marrëveshje politike është dashur të hysh në një partneritet qysh më herët. Pse nuk e mendoi hapin e presidentin – s’e mendoi sepse duhet me u ulë me partitë tjera e jo me arrogancë e imponim të nënkryetarit të partisë së Lëvizjes Vetëvendosje”, u shpreh Lushaku –Sadiku.
“Fryma e Presidentit kërkon marrëveshje, dialog dhe gatishmëri e vetëdijesim që krizat politike e imponimi nuk ecin në vende demokratike”, u shpreh ajo.