Analisti politik, Ylli Hoxha, ka vlerësuar se debati i zhvilluar mes nënkryetarëve të partive politike, Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në emisionin “Debat Plus” ishte një sukses për publikun dhe për kulturën e debatit politik në vend.
Hoxha vlerëson se sonte fitoi “Debat Plus-i” për një debat të cilin e konsideroi fantastik dhe të munguar për vite me radhë.
Mes tjerash, Hoxha u shpreh se nënkryetari i VV-së, Glauk Konjufca, ishte sipas tij në një pozitë më të vështirë meqë përballë kishte nënkryetarët opozitarë.
“Po ja lëmë publikut të zgjedh fituesin e debatit, ajo që besoj unë se është fitore e madhe është studio e “Debat Plus-it”, ju personalisht dhe i gjithë stafi që ka bërë punë të shkëlqyer për këtë debat. Besoj se ka qenë fitore e njëfarë insistimi në debat – debati i parë në nivel nënkryetarësh që merr shikueshmëri rekord dhe ka një etje të publikut për të parë këso përballje që ka munguar viteve të fundit. I përgëzoj edhe debatuesit pasi s’është punë e lehtë t’i mbrojnë subjektet e veta dy ditë para zgjedhjeve. Konjufca ka qenë në pozitën më të vështirë pasi ka qenë përballë tre opozitarëve dhe ballafaqimi i tij është më i rëndë sesa tre të tjerëve. Besoj që në tema të caktuara, në temën e parë Konjufca nuk ka arritur të fitojë debatin e parë se kush i ka çuar vendin në zgjedhje, në drejtësi besoj se ka fituar Doarsa meqë është edhe e fushës e dy të tjerët flisnin për korrupsion dhe nuk arritën ta sfidojnë për mosfunksionimin e sistemit të drejtësisë në vitet e fundit e edhe në fushën e ekonomisë besoj që Konjufca nuk ishte në pozitë të favorshme”, u shpreh Hoxha.