Pas votimit të organizuar, Thaçi: Vota në veri kontrollohet nga Lista Serbe dhe Beogradi, jo nga vullneti i lirë i qytetarëve

Juristi Emrush Thaçi, në edicionin special të RTV Dukagjini, lidhur me organizimin e serbëve nga Lista Serbe për të votuar në grup, ka thënë se një gjë e tillë po përsëritet në secilat zgjedhje.

“Është shumë interesante se kjo po përsëritet në çdo zgjedhje dhe normalisht që Lista Serbe është ajo që i organizon drejtpërdrejt me dorën e shtetit të Serbisë, ku në kuadër të këtij votimi faktikisht po mbytet demokracia”, ka thënë ai.

“Ne e kemi parë edhe si dukuri negative publikimin e votave përmes rrjeteve sociale, ku kemi raste të shumta nga të gjitha partitë politike, por në rastin e tillë, të Mitrovicës së Veriut apo pjesës veriore të Kosovës, është për të ardhur keq që ndikimi i shtetit serb është shumë i fuqishëm”, ka shtuar Thaçi.

Tutje, Thaçi është shprehur se qytetarët e kësaj pjese në asnjë rrethanë dhe asnjëherë të vetme, siç thotë ai, “nuk e kanë orientuar votën aty ku ata dëshirojnë”.

“Vota e tyre është votë e manipuluar, votë faktikisht e marrë nga shteti serb dhe Lista Serbe. Unë konsideroj që këtyre qytetarëve nuk u bëjnë nder këto votime. Unë jam i bindur që të gjithë përfaqësuesit që votohen në atë pjesë janë përfaqësues të cilët faktikisht vendosen nga shteti serb, Lista Serbe dhe të dirigjuar. Ju e keni parë shumë mirë sabotimin edhe në Kuvendin e Kosovës nga ta (Lista Serbe) për çështje të caktuara, për zhvillimin e Kosovës dhe për gjithçka tjetër. Do të thotë, ata e kanë në dorën e tyre dhe normalisht, si kategori kushtetuese, po e pengojnë zhvillimin e Kosovës”, ka deklaruar ai.

Tutje, Thaçi ka thënë se qytetarit, si në veri ashtu edhe në jug të Kosovës, i duhet votim i lirë.

“Me imponimin e votimit nënkuptojmë rrënimin e demokracisë”, ka thënë ai.

Të fundit nga rubrika