Refuzimi i PZAP-së, Haxhiu: Do të ankohem në Gjykatën Supreme

Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, ka paralajmëruar se do ta dërgojë çështjen në Gjykatën Supreme, pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar ankesën e tij lidhur me procesin e rinumërimit të votave.

Haxhiu tha se afatet ligjore i mundësojnë vazhdimin e procedurave ankimore dhe se tashmë ka kontaktuar me avokatin e tij për përgatitjen e ankesës në Gjykatën Supreme.

“Kemi 48 orë afat për procesin e ankimimit, ndërsa Gjykata Supreme ka pesë ditë kohë për të marrë vendim. Pas kësaj vjen shpallja e rezultateve, e më pas kemi sërish 48 orë afat për ankesë ndaj rezultateve përfundimtare. PZAP-ja ka 96 orë kohë për përgjigje, ndërsa më pas ekziston edhe e drejta për ankesë në Gjykatën Supreme, e cila ka pesë ditë afat për vendimmarrje”, deklaroi Haxhiu.

Sipas tij, procedurat ankimore mund ta shtyjnë edhe për rreth dy javë shpalljen përfundimtare të rezultateve zgjedhore.

“Nga sot mund të humbasim edhe dy javë deri te shpallja përfundimtare e rezultateve, ndërkohë që rinumërimi i votave të PDK-së nuk do të merrte më shumë se dy ditë”, tha ai.

Haxhiu këmbënguli se të dhënat e deritanishme tregojnë se ka pasur ndryshime në rezultatet e kandidatëve dhe se këto ndryshime mund të ndikojnë drejtpërdrejt në ndarjen e mandateve.

“Ka ndryshime. Në 3.5 për qind të mostrës së rinumëruar ka dallime, të cilat, nëse projektohen në pjesën tjetër të votave, mund të prodhojnë një rezultat që e eliminon diferencën me kandidatin që aktualisht ka fituar mandatin. Prandaj saktësia e rezultatit zgjedhor është e domosdoshme”, u shpreh ai.

Ai shtoi se gabimet, qofshin minimale apo maksimale, mund të ndikojnë në fitimin ose humbjen e një mandati deputeti.

“Kam kontaktuar me avokatin dhe do të vazhdojmë në Gjykatën Supreme me argumente shtesë. Një gabim, qoftë edhe minimal, mund t’ia japë mandatin dikujt ose t’ia humbë një kandidati tjetër. Nuk mund të jesh deputet me vota të pasakta”, deklaroi Haxhiu.

 

Shija e redaktorit

“Shkruaj, vizato dhe fito”, Shtëpia Botuese “Dukagjini” ndan tre çmime...

Kreativiteti në shkrim dhe vizatim do t’u shpërblehet këtë të shtunë. Në kuadër të Panairit të Librit për fëmijë u ndanë edhe çmimet nga Shtëpia...

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Ali Ahmeti thirrje për Marshin për Liri: Më 12 shtator...

Ish lideri i UÇK-së dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka bërë thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri, i cili do të mbahet...

Të fundit nga rubrika