Debati për rolin e autoriteteve serbe në rastin e Millan Radoiçiqit, të dyshuar për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, është intensifikuar pas deklaratave të ndryshme që vënë në pikëpyetje mënyrën e trajtimit të tij nga institucionet e sigurisë në Serbi.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se nuk ka informacione që pjesëtarë të xhandarmërisë serbe mbrojnë persona të kërkuar, duke mohuar raportimet që e lidhin këtë njësi me mbrojtjen e Radojçiqit dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Sipas autoriteteve serbe dhe komandantit të Xhandarmërisë, Radoslav Repac, këto pretendime nuk qëndrojnë, ndërsa Ministria e Brendshme nuk ka dhënë përgjigje të detajuara për akuzat e ngritura në media.
Megjithatë, një deklaratë interesante ka ardhur nga kolonelja policore në pension dhe deputetja opozitare, Sllavica Radovanoviq, e cila për Radion Evropa e Lirë ka thënë se është “sekret publik” që disa pjesëtarë të Xhandarmërisë serbe ruajnë persona të caktuar që nuk gëzojnë mbrojtje zyrtare policore.
“Edhe informacionet e mia të brendshme e mbështesin këtë, se ekzistojnë me siguri dy persona nga Xhandarmëria që nuk shkojnë fare në punë, por e ruajnë Radoiçiqin”, ka thënë ajo.
Radojçiq, i cili ka pranuar se ka qenë i përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në shtator të vitit 2023, mbetet i lirë në Serbi.