Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka zhvilluar një takim me ambasadorin rus në Beograd, Aleksandar Boçan-Harçenko, në një kohë kur Serbia po përpiqet të ruajë një ekuilibër të brishtë mes partneritetit tradicional me Rusinë dhe aspiratave të saj për integrim evropian.
Sipas njoftimeve të Ambasadës ruse në Beograd, gjatë takimit janë diskutuar marrëdhëniet dypalëshe, situata rajonale dhe zhvillimet globale.
Ambasada e ka përshkruar bisedën si “të detajuar dhe kuptimplotë”, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Pas takimit, Vuçiq deklaroi se një vëmendje e veçantë i është kushtuar bashkëpunimit ekonomik mes Serbisë dhe Rusisë, ndërsa përsëriti një nga temat e preferuara të narrativës politike të Moskës dhe Beogradit – mbrojtjen e “fakteve historike” dhe trashëgimisë së Luftës së Dytë Botërore.
“Serbia dhe Rusia do të mbrojnë arritjet e fitores së madhe nga Lufta e Dytë Botërore dhe do të kundërshtojnë të gjitha përpjekjet për të rishikuar faktet historike”, shkroi Vuçiq pas takimit.