Një person i dyshuar për veprën penale “vrasje në tentativë” është vetëdorëzuar në Policinë e Kosovës, pasi dyshohet se ka plagosur një person me armë zjarri në Pejë.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur mbrëmë, rreth orës 22:36, në rrugën “Mbreti Pirro” në Pejë.
“Stacioni Policor në Pejë është informuar se në rrugën ‘Mbreti Pirro’, në Pejë, kishte ndodhur një plagosje dhe një person është lënduar. Njësitet policore i janë përgjigjur menjëherë vendit të ngjarjes, ku është hasur viktima i plagosur nga arma e zjarrit”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas njoftimit, viktima është dërguar për trajtim mjekësor fillimisht në Spitalin Rajonal të Pejës, e më pas në QKUK në Prishtinë.
“Gjendja e tij sipas mjekëve është stabile”, ka bërë të ditur Policia.
I dyshuari, pas rastit, ishte larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa njësitet policore kanë nisur hetimet për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Gjatë bastisjes së shtëpisë së të dyshuarit, Policia ka sekuestruar municion dhe karikatorë.
“Gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar 73 fishekë cal. 7.65 mm, 41 fishekë 9×19 dhe 3 karikatorë”, thuhet në njoftim.
Policia ka njoftuar se i dyshuari është vetëdorëzuar sot, më 14 korrik, rreth orës 02:30.
“I dyshuari ka dorëzuar edhe dy armë së bashku me dy karikatorë dhe 15 fishekë, me të cilat dyshohet se kishte kryer veprën penale”, thuhet në njoftimin policor.
Pas intervistimit në prezencë të avokatit mbrojtës, ndaj të dyshuarit janë ndërmarrë veprimet e mëtejshme ligjore me vendim të prokurorit. Rasti po hetohet nga njësitet kompetente.