Arben Fetoshi, drejtor i Institutit Octopus, ka reaguar pas deklaratës së ministres serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, se po të ishte në vend të Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën nga shqiptarët”, duke e vlerësuar si konfirmim të vazhdimësisë së politikës hegjemoniste të Serbisë.
Fetoshi tha se “deklarata e ministres Paunoviq është pjesë e komunikimit strategjik të Serbisë për rehabilitimin e Sllobodan Millosheviqit dhe ndryshimin e rrëfimit mbi luftërat në ish-Jugosllavi, përmes strategjisë së mohimit të krimeve dhe të gjenocidit në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë e Kosovë”.
Sipas tij, deklarata nuk synon vetëm konsum të brendshëm politik, por edhe testimin e reagimit të bashkësisë ndërkombëtare ndaj rikthimit të narrativave që relativizojnë krimet e luftës.
“Duke testuar kufijtë e reagimit ndërkombëtar, ajo nuk është vetëm indikator që konfirmon vazhdimin e politikës hegjemoniste ndaj Kosovës, por edhe denoncim i aktgjykimeve të drejtësisë dhe dokumentimit të krimeve serbe nga organizatat ndërkombëtare”, ka thnë Fetoshi në RTV 21 përcjell Dukagjini.
Ai tutje theksoi se kjo retorikë lidhet me operacione më të gjera propagandistike, duke përmendur ekspozitën “Njihuni me vuajtjet serbe” të organizuar nga Millorad Dodik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila, sipas tij, synon revizionimin e historisë dhe mohimin e krimeve të regjimit të Millosheviqit në funksion të projektit të ashtuquajtur “Bota Serbe”.
Fetoshi paralajmëroi se deklarata duhet parë edhe në kontekstin e fushatës aktuale propagandistike të Serbisë, e cila promovon narrativat për kinse “terrorin e Kosovës”, “spastrimin etnik të serbëve” dhe “agresionin e NATO-s”.
“E vendosur në kontekst të propagandës aktuale për kinse ‘terrorin e Kosovës’, ‘spastrimin etnik të serbëve’ dhe ‘agresionin’ e NATO-s, ajo përbën edhe kërcënim hibrid që provokon tensione dhe destabilizim në rajon. Prandaj, faktorët ndërkombëtarë duhet të përgjigjen me vendosmëri dhe ta neutralizojnë Serbinë, duke ia kujtuar fatin e Millosheviqit, dënimet e Lazareviqit e kolegëve të tij dhe vendimin e GJND-së për Republikën e Kosovës si realitet në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë ndër të tjera drejtori i Institutit Octopus, Arben Fetoshi.