Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet I.Z., nën dyshimin se ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë” e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 13 janar 2026, rreth orës 00:15, brenda një lokali në komunën e Deçanit.
Aktakuza thotë se i pandehuri, i motivuar nga përkatësia kombëtare e të dëmtuarve, dyshohet se ka tentuar t’i privojë nga jeta katër persona duke përdorur armë zjarri.
Si pasojë e të shtënave, tre persona kanë mbetur të plagosur. Dy prej tyre kanë pësuar lëndime të rënda trupore, ndërsa njëri lëndime të lehta. Personi i katërt ka arritur t’i shmanget sulmit pa u lënduar.
Sipas Prokurorisë, I.Z. akuzohet edhe për mbajtje të paautorizuar të armës së zjarrit, me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale. Gjatë arrestimit dhe bastisjes, autoritetet kanë sekuestruar armën dhe municionin.
Prokurori i Shtetit i ka propozuar gjykatës që, pas zhvillimit të shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet në përputhje me ligjin për veprat penale që i vihen në barrë.