Që prej orës 08:00 të mëngjesit ka nisur zbatimi i ligjit për amnistinë penale në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale në Shqipëri.
Në total, 541 persona të dënuar do të lirohen nga burgjet, pasi përfitojnë nga amnistia.
A2 CNN raporton se sipas institucioneve deri më tani nga IEVP Lushnjë janë 127 të liruar; IEVP Fier -104 të liruar; IEVP Reç – 101 të liruar; IEVP Rrogozhinë – 94 të liruar; IEVP Korçë (Drenovë) – 60 të liruar.
Nga paraburgimi i Vlorës lirohet 1 person si dhe 8 të tjerë përfitojnë ulje dënimi.
Procesi i lirimit po zhvillohet në koordinim me administratat e burgjeve dhe autoritetet përgjegjëse, ndërsa pranë institucioneve të vuajtjes së dënimit kanë pritur familjarë të shumtë për të mirëpritur të afërmit e tyre.
Amnistia penale u votua në qershor në Kuvendin e Shqipërisë me 84 vota për t’ju dhënë mundësinë që të lirohen të dënuarit që kanë marrë vendim të formës së prerë deri në 31 maji 2025.
Amnistia penale synon të lehtësojë mbipopullimin në burgje dhe u jep mundësinë të dënuarve që plotësojnë kriteret ligjore të rifillojnë jetën pranë familjeve të tyre./A2