Si i ri dhe vullnetar lufte, presidenti i sotëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, qëndroi në Sarajevë në shërbim të një politike kriminale – me pasoja që ndihet deri sot, shkruan gazetari gjerman Michael Martens në gazetën prestigjioze gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.
Edhe varrezat vdesin. Kështu ka shkruar dikur fituesi jugosllav i Nobelit në letërsi, Ivo Andriq, në esenë e tij të botuar më 1954, “Në varrezat hebraike të Sarajevës”. Nga dikur 12’000 hebrenj të kryeqytetit të Bosnjës, atëbotë jetonin vetëm pak prej tyre. Shumica nuk e kishte mbijetuar pushtimin nga trupat gjermane dhe aleatët e tyre kroatë ndërmjet viteve 1941 dhe 1945; ishin vrarë në Aushvic, Bergen-Belsen ose në kampin e përqendrimit Jasenovac, të drejtuar nga kroatët.
Andriqi kishte pasur miq hebrenj, ai e njihte historinë e hebrenjve të Bosnjës: “Kur në fund të shekullit XV hebrenjtë u dëbuan nga Spanja, ata kërkuan strehë në vende të ndryshme, ku nuk kishte persekutim sistematik të hebrenjve dhe ku të paktën toleroheshin. Një nga këto vende ishte Turqia e atëhershme. Në shekullin XVI hebrenjtë spanjollë të dëbuar, sefardikët, shfaqen edhe në qendrat kryesore tregtare të Ballkanit, pra edhe në Sarajevë.”

Në Bosnjë, të “rrethuar nga paragjykimet dhe besëtytnitë e bashkëqytetarëve të tyre të konfesioneve të tjera”, ata flisnin në shtëpi spanjishten që kishin sjellë nga atdheu, nga e cila më pas u zhvillua ladinoja, “hebraishto-spanishtja”. “Ishte një bashkësi e vogël, e mbyllur hermetikisht nga forca e rrethanave dhe zakoneve, ku kishte pasuri të fituara me mund të madh, të ruajtura me ankth dhe vazhdimisht të rrezikuara, dhe edhe shumë më tepër varfëri të thellë”, shkruan Andriqi, i cili si fëmijë i lindur më 1892 nga një nënë vetëushqyese në Sarajevë, kishte njohur vetë varfëri të ashpër.
Por vetëm Lufta e Dytë Botërore e shkatërroi krejtësisht bashkësinë hebraike të qytetit, zhduku tërësisht familje ose i pakësoi aq shumë, sa prania e tyre shumëshekullore u bë më e prekshme në varrezat hebraike sesa mes të gjallëve. “Një botë që nuk ekziston më”, vëren Andriqi më 1954 dhe prej kësaj nxjerr një kërkesë: nëse njerëzimi do ta meritonte emrin “njerëzim”, duhej të organizohej “kundër të gjitha krimeve ndërkombëtare në mënyrë që të ngrihen diga të sigurta dhe të vijë një ndëshkim real për të gjithë vrasësit e njerëzve dhe të popujve”.

Kush ecën sot nëpër varrezat e shkatërruara hebraike të Sarajevës, përmes barit deri në gju dhe shkurreve, pranë gurëve të ngulitur të varrit që si dhëmbë të shtrembër të një nofulle dalin nga toka, sheh pamje të ngjashme me ato që pa Andriqi para shtatëdhjetë vjetësh. Në varrezat ku rreth vitit 1630 u bë varrimi i parë, që nga viti 1966 nuk është varrosur askush më. Hapësira po humbet në rrënoja. Bashkësia e mbetur hebreje e Sarajevës është shumë e vogël për ta mirëmbajtur. Qyteti gati nuk merret fare me të. Në pjesën e sipërme të varrezave, më të vjetrën, mbishkrimet në shumicën e gurëve janë tashmë të zhdukura; vetëm në disa mund të dallohen ende fjalë në shkronja hebraike dhe arabe nga koha osmane, si edhe disa mbishkrime në ladino.
Më poshtë, në pjesën më të re, ku u varrosën hebrenjtë e Sarajevës pasi pushtimi osman nga viti 1878 u zëvendësua për katër dekada me okupimin habsburgas, rrjedha e emrave bëhet më e gjerë. Krahas familjeve të vjetra sefardike të Sarajevës vijnë tani edhe familjet ashkenaze, të ardhura nga Galicia dhe provincat e tjera lindore të Perandorisë austro‑hungareze. Përkrah Albaharive, Baruheve, Fincive, Kalderonëve dhe Maestrove, në varrezat hebraike të Sarajevës filluan të prehen edhe Singerët, Mondshajnët, Glykseligët, Shternbergët dhe Rozenbergët, derisa sefardikët dhe ashkenazët bashkë u gllabëruan nga Holokausti.

Por në varrezat hebraike shihen edhe gjurmët e shkatërrimeve që ndodhën vetëm dekada pas Luftës së Dytë Botërore. Veçanërisht qartë e tregon këtë një monument i ngritur pas luftës për viktimat hebraike të terrorit të pushtimit gjermano‑kroat. Në një pllakë guri shkruhet se monumenti u kushtohet “luftëtarëve të rënë” dhe viktimave hebraike të fashizmit në Bosnje‑Hercegovinë, por fjalët “viktima” dhe “Bosnjë” janë shqyer nga një granatë.
Kjo ndodhi gjatë luftës serbe kundër Bosnje‑Hercegovinës 1992-1995, kur kryeqyteti i Bosnjës, i vendosur në një luginë, u mbajt i rrethuar për 1425 ditë. Trupat serbe të gjeneralit Ratko Mladiq – i dënuar më vonë me burgim të përjetshëm nga Tribunali i OKB‑së për krimet e Jugosllavisë së dikurshme në Hagë – e kishin rrethuar qytetin. Artileria e tyre dhe snajperistët qëllonin çdo ditë mbi Sarajevë; shpesh nuk kishte as rrymë, as ujë të rrjedhshëm. Mbi 11’000 njerëz u vranë.
Një prej skenave të rrethimit ishte pikërisht varreza hebraike e Sarajevës. Pjesët më të larta të kësaj sipërfaqeje në shpat mali kontrolloheshin nga sulmuesit serbë. Prej andej snajperistët merrnin në shënjestër qytetin. Gjenerali britanik Michael Rose, i cili për një kohë komandoi trupat e mbrojtjes së OKB‑së në Sarajevë, dëshmoi para Tribunalit të Hagës se varrezat hebraike kanë qenë gjithmonë një pikënisje e rrezikshme për bombardimin e qytetit. Nga pozicionet në varreza u qëllua edhe një spital qyteti në lagjen Marienhof poshtë në luginë. Një kirurg i punësuar aty dëshmoi në gjykatë se disa herë pacientët dhe personeli ishin plagosur nga snajperistët që qëllonin nga drejtimi i varrezave hebraike.
Një burrë që si i ri vullnetar lufte ka qenë të paktën për një kohë i pranishëm në këtë veprim kriminal në varrezat hebraike të Sarajevës, do të bëhej më vonë i famshëm dhe i fuqishëm – presidenti i sotëm i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Nuk janë kundërshtarët apo shpifësit që e kanë nxjerrë në publik këtë detaj të shëmtuar të biografisë së tij; ai vetë ka treguar me krenari për këtë në intervista gjatë viteve ’90.

Intervistat u botuan në gazeta që sot janë mbyllur dhe kanë lënë pak gjurmë në internet. Disa prej mburrjeve të Vuçiqit për kohën e tij si vullnetar lufte nuk e kanë kaluar portën nga e kaluara e shtypur në të tashmen elektronike dhe kanë mbetur pak të njohura. Por kush kërkon në Bibliotekën Kombëtare të Serbisë në Beograd, në thellësitë e arkivave të letrës, gjen shumë gjurmë.
Në gusht 1994, për shembull, në revistën e ilustruar serbe “Duga” (Ylberi) u botua nën titullin “Aleksandri i majtë dhe i djathtë” një portret i dyfishtë i dy politikanëve të rinj serbë, të cilët sot janë ndër njerëzit më të fuqishëm të shtetit. “Aleksandri i djathtë” ishte Vuçiqi. “I majti” ishte Aleksandër Vulini, atëherë formalisht socialist, sot një nga njerëzit më të afërt të presidentit, ish‑shef i shërbimit sekret serb, i njohur për afërsinë e veçantë me Rusinë.
Më 1994, Vuçiqi tashmë konsiderohej politikan në ngritje në “Partinë Radikale Serbe” të çetnikut Vojisllav Sheshel, një parti që besohet se është krijuar ose të paktën e infiltruar pjesërisht nga shërbimi sekret serb. Për Sheshelin, politika e presidentit të atëhershëm të Serbisë, Sllobodan Millosheviq – gjithashtu i akuzuar më vonë në Hagë – nuk ishte mjaft radikale. Ai kërkonte një kurs edhe më ekstrem për të krijuar me luftë një shtet serbomadh dhe për të dëbuar nga aty etnitë “e padëshiruara”: kroatët, myslimanët boshnjakë dhe shqiptarët e Kosovës. Shesheli u akuzua më vonë po ashtu nga Tribunali i OKB‑së – dhe, ndryshe nga Millosheviqi, i cili ndërroi jetë nga infarkti para përfundimit të gjyqit, u dënua.
Më 1994, e gjithë kjo ende dukej një e ardhme që pak kush mund ta imagjinonte. Tribunali i Hagës sapo ishte themeluar, kishte pak mjete dhe shihej si i dobët. Pothuajse askush nuk besonte se ai do të mund t’i nxirrte ndonjëherë para drejtësisë figurat kryesore të krimeve të luftërave jugosllave. Vuçiqi, 24‑vjeçar, kishte studiuar për drejtësi në Beograd dhe jetonte ende tek prindërit në një pallat, kur gazetari i “Duga” e vizitoi në lagjen socialiste Novi Beograd. Jetonte në kushte modeste. Vuçiqi ndante një dhomë me të vëllain, Andrein; gazetari vëren në mur “trofe lufte”, pa i përshkruar në hollësi. Se nga vinin këto trofe, Vuçiqi rrëfen vetë me dëshirë: “Kur filloi lufta në Bosnjë, shkova në Sarajevën serbe dhe u paraqita si vullnetar.” E kishte bërë, thotë ai, “për ta mbrojtur serbizmin”.