Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me zhvillimet e fundit në raportet ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, duke shprehur shqetësim për gjendjen e marrëdhënieve me aleatin strategjik të vendit.
Rama ka krahasuar nisjen e Dialogut Strategjik mes SHBA-së dhe Serbisë me pezullimin e këtij procesi me Kosovën, duke thënë se mesazhet nga Uashingtoni ndaj dy vendeve kanë qenë të ndryshme.
Ai ka përmendur se në bashkëpunimin SHBA-Serbi janë diskutuar fusha si energjia, siguria energjetike, investimet në infrastrukturë, rrjeti 5G, mbrojtja, industria ushtarake, arsimi, shkenca dhe teknologjia.
Sipas Ramës, deklaratat e fundit nga zyrtarët amerikanë janë “shqetësuese” për të ardhmen e Kosovës, ndërsa ka kërkuar përgjigje nga kryeministri i vendit për gjendjen e raporteve me Uashingtonin.
“Si ka mundësi që marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara kanë arritur në pikën ku partneriteti strategjik është i pezulluar, besimi është vënë në pikëpyetje dhe Uashingtoni flet publikisht për kushtet që Kosova duhet t’i përmbushë?”, ka shkruar Rama.