Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pritur sot në takim të Dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë–Serbi, Peter Sorensen.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, në takim janë diskutuar zhvillimet në raport me Bashkimin Evropian, situata në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe çështjet aktuale që lidhen me procesin e dialogut dhe hapat e ardhshëm, njofton Dukagjini.
Kurti ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj një angazhimi konstruktiv, duke synuar paqe të qëndrueshme, siguri euroatlantike, stabilitet afatgjatë dhe fqinjësi të mirë evropiane.
Gjatë takimit, i dërguari i BE-së ka ngritur edhe çështjen e kthimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë që kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e drejtësisë në veri të vendit.
Në përgjigje, Kurti ka deklaruar se Qeveria e Kosovës insiston në respektimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, barazinë e qytetarëve dhe përfshirjen e të gjitha komuniteteve.
Sipas tij, institucionet e Republikës së Kosovës duhet të përfaqësohen nga qytetarë të të gjitha etnive, të cilët duhet të karakterizohen nga kompetenca profesionale dhe integriteti etik, përfshirë policinë, gjyqësorin dhe prokurorinë.
Kurti ka thënë se dorëheqjet kolektive të prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë në veri të vendit katër vite më parë kishin për qëllim, sipas tij, dëmtimin e përbërjes shumetnike të sistemit demokratik.
Ai ka theksuar se rruga përpara duhet të përcaktohet nga Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, duke garantuar shumetninë në sistemin gjyqësor, por edhe pavarësinë dhe cilësinë e drejtësisë.
“Duke iu përgjigjur të dërguarit Sorensen lidhur me çështjen e ngritur prej tij për kthimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë të dorëhequr, Kryeministri Kurti tha se Qeveria e Kosovës afirmon dhe insiston në kushtetutshmëri dhe ligjshmëri, barazi të qytetarëve e përfshirje të të gjitha komuniteteve. Të punësuarit në institucionet e Republikës, janë dhe duhet të jenë nga të gjitha etnitë, e të karakterizohen nga kompetenca profesionale dhe integriteti etik, përfshirë këtu policinë, gjyqësorin e prokurorinë e shtetit. Dorëheqjet kolektive të para katër viteve në veri të Ibrit kishin pikërisht si synim rrënimin e përbërjes shumetnike të sistemit tonë demokratik. Tani, rruga përpara është ajo që e përcaktojnë Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, e cila në rastin e sistemit gjyqësor nënkupton ruajtjen e shumetnisë, por njëkohësisht edhe garantimin e pavarësisë dhe cilësisë së drejtësisë”, thuhet në njoftim.
Në takim janë diskutuar edhe tema të tjera që lidhen me procesin e dialogut, me theks të veçantë në rëndësinë e respektimit të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të Zbatimit të Ohrit.