Regjistrimet audio që ish-presidenti amerikan Joe Biden kishte kërkuar për vite me radhë të mbeteshin konfidenciale janë bërë publike nga republikanët në Kongres, duke nxitur reagime të reja politike në SHBA.
Bëhet fjalë për intervista të zhvilluara në vitet 2016 dhe 2017 mes Bidenit dhe bashkëshkruesit të kujtimeve të tij, Mark Zwonitzer, gjatë përgatitjes së librit Promise Me, Dad. Në disa pjesë të regjistrimeve, Biden dëgjohet duke folur për posedimin e materialeve të klasifikuara pas largimit nga posti i nënpresidentit.
Në një regjistrim të shkurtit 2017, ai thotë: “Sapo gjeta të gjitha gjërat e klasifikuara poshtë”, ndërsa në një tjetër dëgjohet duke shtuar: “Kjo është e klasifikuar”. Në një audio të tetorit 2016, Biden thotë se kishte shënime të gjera nga periudha kur shërbente në Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar se “Shtëpia e Bardhë nuk e dinte që unë i kam këto”.
Publikimi i materialeve vjen pasi republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve dhe organizata konservatore Oversight Project fituan betejën ligjore për qasjen në regjistrime, të cilat ishin pjesë e hetimit të vitit 2024 mbi trajtimin e dokumenteve të klasifikuara nga Biden.
Zëdhënësi i Bidenit, TJ Ducklo, e kritikoi publikimin, duke e cilësuar atë si “një tjetër shembull të përdorimit të Departamentit të Drejtësisë për hakmarrje politike”. Ai theksoi se, megjithëse Biden nuk pajtohet me vendimin për publikimin e audio-incizimeve, respekton vendimet e gjykatave dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor.
Regjistrimet përmbajnë edhe pjesë të redaktuara. Republikanët në Komitetin për Mbikëqyrje të Dhomës së Përfaqësuesve pretendojnë se këto redaktime janë bërë për të fshehur referenca ndaj informacionit të klasifikuar.
Në vitin 2024, Këshilltari Special Robert Hur arriti në përfundimin se Biden kishte ruajtur në mënyrë të papërshtatshme dokumente të klasifikuara, por nuk rekomandoi ngritjen e aktakuzës, duke argumentuar se një juri mund ta shihte atë si një person të moshuar, me qëllime të mira dhe me kujtesë të dobësuar.
Rasti u krahasua shpesh me atë të presidentit Donald Trump, i cili ishte akuzuar për mbajtje të paligjshme të dokumenteve të klasifikuara në rezidencën e tij në Florida, megjithëse akuzat ndaj tij u rrëzuan pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë.