Kuvendi mban sot seancën konstituive

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot në seancën konstituive, në përpjekjen e radhës për ta përmbyllur procesin e konstituimit të legjislaturës së dalë nga zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.

Në rend dite janë betimi i deputetëve, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve, hapa që duhet të përmbyllen për t’i hapur rrugë formimit të institucioneve të reja.

Seanca e sotme vjen në prag të skadimit të afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit. Sipas aktgjykimit të Kushtetueses, Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve. Nëse procesi nuk përfundon brenda këtij afati, vendi hyn në një situatë të re juridike dhe politike, me mundësinë e ndërmarrjes së hapave të tjerë kushtetues.

Edhe pse kanë vazhduar takimet dhe konsultimet mes partive politike, ende nuk është arritur një marrëveshje për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, çka ka mbajtur të bllokuar konstituimin e legjislaturës së re.

Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, ka të drejtën të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, ndërsa për zgjedhjen e tij nevojiten të paktën 61 vota të deputetëve. Deri më tani, partitë opozitare kanë kërkuar një marrëveshje më të gjerë politike për formimin e institucioneve, duke përfshirë edhe çështjen e zgjedhjes së presidentit.

Konstituimi i Kuvendit është hapi i parë kushtetues drejt formimit të Qeverisë së re. Vetëm pas zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit mund të vazhdohet me procedurat për mandatarin dhe votimin e kabinetit qeveritar.

Kuvendi publikon rendin e ditës për seancën konstituive të së enjtes

Të fundit nga rubrika