Kryesia e PDK-së: Vetëvendosje po rrënon rendin kushtetues, do ta mbrojmë shtetin me të gjitha mjetet

Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës ka mbajtur sot mbledhje, ku ka diskutuar për situatën e rëndë institucionale dhe politike në vend, të krijuar pas mos-konstituimit të Kuvendit dhe vazhdimit të bllokadës institucionale nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje.

Kryesia e PDK-së ka vlerësuar se Kosova ndodhet përballë një krize të thellë kushtetuese dhe institucionale, e cila nuk mund të trajtohet më si një mosmarrëveshje e zakonshme politike.

Shpërfillja e Kushtetutës, aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, Rregullores së Kuvendit dhe afateve detyruese, sipas PDK-së, përbën cenim serioz të funksionimit demokratik dhe institucional të shtetit.

“Vetëvendosja është shndërruar në shkatërruese të themeleve institucionale të shtetit. Kur shpërfillen Kushtetuta, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, Rregullorja e Kuvendit dhe afatet detyruese, nuk kemi më të bëjmë me një mosmarrëveshje të zakonshme politike. Po goditet vetë rendi mbi të cilin qëndron shteti ynë”, ka deklaruar kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.

Hamza ka theksuar se fillimisht është refuzuar përmbushja e detyrimit për konstituimin e Kuvendit brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, ndërsa tash, edhe pas përfundimit të këtij afati, po vazhdon mosrespektimi i procedurave dhe detyrimeve institucionale.

“Nuk mund të sillemi sikur kemi normalitet. Nuk ka normalitet”, ka thënë Hamza.

Kryesia e PDK-së ka vlerësuar se pushteti aktual po e zëvendëson funksionimin normal të institucioneve me arbitraritet institucional, duke i zbatuar rregullat vetëm atëherë kur ato i përshtaten interesit politik të tyre.

“Kushtetuta nuk është opsionale. Institucionet nuk mund të funksionojnë sipas vullnetit të një partie. Kushtetuta përcakton rregullat e ushtrimit të pushtetit, garanton ndarjen dhe balancimin e tij dhe mbron rendin demokratik. Ndërsa në Kosovë pushteti po e pezullon Kushtetutën për nevojat e veta politike”, u tha në mbledhjen e Kryesisë së PDK-së.

PDK-ja konsideron se interesi i shtetit, Kushtetuta dhe funksionimi i institucioneve duhet të jenë mbi çdo interes partiak dhe individual.

“Kjo nuk është betejë për interesin e PDK-së dhe as konflikt mes dy partive. Kjo është çështje e mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Kushtetutës dhe institucioneve të saj”, ka deklaruar Hamza.

Partia Demokratike e Kosovës do t’i mobilizojë strukturat e saj në çdo komunë të Kosovës, në çdo degë dhe nëndegë, në çdo nivel të organizimit partiak dhe qytetar për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe funksionimit institucional.

PDK-ja do të ndërmarrë një sërë veprimesh ligjore, politike dhe demokratike, me qëllim kundërshtimin e degradimit të mëtejshëm të institucioneve dhe mbrojtjen e rendit kushtetues.

Këto veprime do të shoqërohen edhe me konsultime dhe koordinim me subjektet politike, institucionet dhe organizatat e shoqërisë civile, që besojnë se shteti dhe Kushtetuta janë mbi çdo parti dhe mbi çdo individ.

Partia Demokratike e Kosovës, si parti shtet-formuese, e konsideron përgjegjësi politike dhe qytetare që të reagojë ndaj çdo përpjekjeje për normalizimin e shkeljes së rregullave kushtetuese dhe institucionale.

Moskonsitituimi i Kuvendit, PDK mbledh Kryesinë

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika