Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka bërë të ditur se Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar kërkesë te kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, për vazhdimin e seancës të premten, më 14 gusht, në ora 11:00.
Gruda tha se kërkesa është bërë për respektimin e Kushtetutës, aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullores së Punës së Kuvendit, duke theksuar se kjo e fundit kërkon mbajtjen e mbledhjes ose vazhdimin e saj çdo 48 orë.
“Ne sapo kemi dorëzuar, në emër të Partisë Demokratike të Kosovës, kërkesën në drejtim të kryesuesit të seancës, Avni Dehari, për mbajtjen e vazhdimit përkatësisht të seancës konstituive për nesër, datë 14 gusht, në ora 11:00, siç kërkon rregullorja e Kuvendit të Kosovës. Sepse rregullorja, siç dihet tashmë, kërkon që të ketë mbledhje ose vazhdim mbledhjes çdo 48 orë. Ne kemi dorëzuar këtë kërkesë për të kërkuar respektimin e Kushtetutës, artgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe rregullores së punës së Kuvendit. Ju tashmë e dini që afati për konstituimin e Kuvendit ka kaluar. Është shkelur Kushtetuta, është shkelur artgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, siç ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës, shkelja e afatit ose kalimi i afatit për konstituim nuk e shuan detyrimin që kemi ne si deputetë për ta konstituar Kuvendin, qoftë edhe mbas afatit, Kushtetues, sepse Gjykata ka thënë që mos respektimi i afatit nuk e shpërndan Kuvendin”, tha ai.
Sipas Grudës, Kuvendi duhet të konstituohet edhe pas kalimit të afatit, ndërsa përgjegjësia për thirrjen e vazhdimit të seancës i takon kryesuesit Avni Dehari.
“Pra, Kuvendi duhet të konstituohet në çdo rast, dhe ne jemi deputetë të betuar, deputetë me mandat dhe funksion të plotë, dhe këtë funksion po na e pamundëson me ushtru lëvizja vendvendosje. Unë nga këtu, në emër të Partisë Demokratike të Kosovës, i bëj thirrje deputetit Albin Kurti që ta lejojë z. Daari të thërrasë mbledhjen në përputhje me Kushtetutën dhe rregulloren e punës së Kuvendit të Kosovës. Z. Dehari është kryesuesi i seancës konstituive vetëm për një cilësi, vetëm për shkak të moshës së tij. Për asnjë gjë tjetër”, tha ai.
