Fehim Sali, i lindur në fshatin Kërstec të Dragashit, është një figurë e njohur në rrethin e komunitetit goran, me një veprimtari të shtrirë ndër vite në arsim, organizata joqeveritare dhe struktura që lidhen me përfaqësimin e komuniteteve joshumicë në Kosovë. Ai u arrestua të enjten në pikën kufitare në Merdar të Podujevës, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Spiunazh”.
Po kush është Fehim Sali dhe për çka dyshohet ai?
Ai ka punuar si mësimdhënës në shkollën fillore serbe “9 Maji” në Rapçë të Dragashit, institucion ku, sipas informacioneve të bëra publike, e ka fituar pozitën me ndikimin e ish-ministrit të Arsimit në Qeverinë e Serbisë, Branko Ruzhiq.
KosovaPress merr vesh se, pas përfundimit të luftës në Kosovë, Sali është angazhuar në aktivitete të ndryshme të shoqërisë civile dhe, si pjesëtar i komunitetit goran, ka qenë i lidhur me një numër organizatash joqeveritare përmes të cilave ka përfituar projekte me vlera të ndryshme financiare. Aktiviteti i tij institucional është zgjeruar edhe në vitet e mëvonshme. Gjatë periudhës 2022–2024, kur ai ka qenë anëtar i Këshillit Konsultativ për Komunitete pranë Zyrës së Presidentes së Kosovës, duke pasur kështu mundësi të jetë pjesë e një mekanizmi institucional që shërben për përfaqësimin dhe komunikimin e komuniteteve joshumicë me institucionet e vendit.
Paralelisht me angazhimet në Kosovë, Sali ka zhvilluar aktivitete edhe në Serbi, bëjnë të ditur burime të KosovaPRess-it. Në prill të vitit 2024 është regjistruar në Serbi organizata joqeveritare “Moja Gora”, ndërsa në Kosovë, në vitin 2020, ai ka themeluar organizatën “Udruzhenje gragjana Gora/Zelena”. Përmes këtyre angazhimeve, ai ka ruajtur lidhje me pjesëtarë të komunitetit goran dhe me struktura të ndryshme politike e shoqërore në Kosovë dhe Serbi.
Ndër vite, Sali është përfshirë edhe në çështje që kanë të bëjnë me dokumentacionin serb të banorëve të komunës së Dragashit dhe zonave të tjera.
“Sali ka shërbyer si ndërmjetësues për rregullimin e dokumenteve serbe për qytetarë të Kosovës dhe se në këtë veprimtari është ndihmuar nga një zyrtar i Agjencisë serbe të Inteligjencës, BIA. Me këtë zyrtar, Sali ka zhvilluar takime në Beograd dhe ka mbajtur komunikime të vazhdueshme”, ka thënë i njëjti burim për KosovaPress.
Mësohet se ka dyshime se gjatë këtyre kontakteve ai ka marrë detyra për identifikimin e personave të përfshirë në institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës, ndërsa ka përcjellë informacione për zhvillimet në rajonin e Gorës, aktivitetet në Zyrën e Presidentes së Kosovës, si dhe informacione me karakter politik dhe fetar.
“Në fokus të dyshimeve ndaj tij janë edhe aktivitetet politike në komunitetin goran dhe lidhjet e tij me struktura politike në Serbi.”
Veç kësaj, Sali dyshohet se ka ushtruar ndikim dhe presion mbi votuesit goranë në interes të Partisë Përparimtare Serbe, SNS, dhe Partisë Socialiste të Serbisë, SPS. “Për këtë angazhim, sipas dyshimeve, ai ka përfituar edhe mjete financiare”, thotë i njëjti burim. Aktiviteti i tij politik ka vazhduar edhe më tej, ndërsa organizata “Moja Gora” dyshohet se është përdorur si mbulesë për angazhime që synonin orientimin e votës së komunitetit goran në zgjedhjet në Serbi.
Në fillim të vitit 2023, Sali ka marrë pjesë në aktivitete të organizuara nga SPS dhe ka zhvilluar takime me kryetarin e kësaj partie, Ivica Daçiq, si dhe me figura të tjera të saj, përfshirë deputetin Igor Braunoviq. Këto kontakte, të marra së bashku me aktivitetin e tij në organizatat e komunitetit dhe rolin që ka pasur në Këshillin Konsultativ për Komunitete, paraqesin një profil të një personi që ndër vite ka krijuar një rrjet të gjerë kontaktesh në Kosovë dhe Serbi.
Sot, emri i Fehim Salit është vendosur në qendër të një hetimi për spiunazh. Autoritetet e Kosovës dyshojnë se aktiviteti i tij nuk është kufizuar vetëm në angazhime shoqërore, arsimore apo politike, por se ai ka bashkëpunuar për një periudhë të gjatë me BIA-n serbe dhe ka përcjellë informacione që lidhen me zhvillimet politike, institucionale dhe të sigurisë në Kosovë.
“Dyshimet përfshijnë edhe rolin e tij në identifikimin e personave që mund të shërbenin si objektiva të rekrutimit nga shërbimi serb. E sipas të njëjtit burim, ky rast dëshmon angazhimin e Serbisë për t’i instrumentalizuar edhe pakicat tjera në Kosovë për qëllime të saj, në rastin konkret pjesëtar të komunitetit goran.
Kujtojmë se, angazhime të tilla të agjentëve nga Serbia, kanë kërcënuar sigurinë e Kosovës dhe aleatëve të saj strategjik, pasi që dihet po ashtu që BIA bashkëpunon afër me shërbimet ruse te inteligjencës dhe sigurisë.