Zjarrfikësit kanë punuar gjatë gjithë natës të së shtunës për të luftuar zjarrin më të madh pyjor të regjistruar ndonjëherë në Belgjikë, i cili deri të dielën në mëngjes kishte përfshirë 3,000 hektarë tokë dhe po përparonte drejt kufirit me Gjermaninë, sipas autoriteteve lokale.
Zjarri në High Fens (Hautes Fagnes), një rezervat natyror në lindje të vendit, ka vijuar të digjet që prej të premtes. Zjarrfikës nga e gjithë Belgjika, si dhe nga Gjermania dhe Luksemburgu fqinjë, janë përpjekur ta vënë nën kontroll, së bashku me ushtrinë dhe fermerët.
Të dielën, ekipet e emergjencës janë përqëndruar te vija e zjarrit që po lëvizte në drejtim të Gjermanisë dhe shpresonin se moti më i freskët dhe më i lagësht do t’i ndihmonte përpjekjet për ta kufizuar zjarrin, ka thënë për Reuters Stephanie Ernoux, zëdhënëse e administratës së rajonit belg të Valonisë, raporton AP.
Zjarri është më shumë se dy herë më i madh se ai i vitit 2011, i cili dogji rreth 1,400 hektarë, sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje.
BE-ja ka dërguar të shtunën tre helikopterë dhe dy avionë zjarrfikës për hedhjen e ujit nga vende të ndryshme të Evropës, pasi Belgjika kërkoi përforcime emergjente.