Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, ka vlerësuar se Serbia po shfrytëzon situatat e brendshme në Kosovë për të intensifikuar luftën informative dhe për të ushtruar presion ndaj institucioneve të Kosovës.
Duke komentuar deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, Fetoshi tha se komunikimi strategjik i Serbisë bëhet më i dukshëm në periudhat kur Kosova përballet me kriza të brendshme.
“Për fat të keq kjo është më evidente në situatat kur komunikimi strategjik i Serbisë i kalkulon krizat e brendshme në Kosovë. Ajo që ne po e kalojmë me ngërçin institucional është gjithashtu një periudhë, kur komunikimi strategjik serb e projekton si momentum të përshtatshëm për një agresion më të madh të luftës informative kundër Kosovës”, deklaroi Fetoshi në FIVE të TV Dukagjini.
Sipas tij, bëhet fjalë për një qasje të koordinuar, në të cilën përfshihen institucione të ndryshme të Serbisë, përfshirë strukturat shtetërore dhe të sigurisë, por edhe institucione të tjera.
“Dhe në këtë kuadër kemi të bëjmë me një sistem të integruar të agresionit serb që përfshinë të gjitha institucionet shtetërore, përfshin institucionet e sigurisë së Serbisë, por gjithashtu Akademinë e Kishën Serbe”, tha ai.
Fetoshi vlerësoi se kjo qasje është pjesë e një sistemi hibrid që, sipas tij, synon destabilizimin e Kosovës dhe dobësimin e saj si shtet.
“Kemi të bëjmë me një sistem të integruar hibrid që Serbia e përdor në përpjekjet për ta destabilizuar Kosovën. Dhe në strategjinë e saj për minimin e Republikës së Kosovës si projekt”, u shpreh Fetoshi.
Ai theksoi se mënyra se si Serbia e përdor komunikimin strategjik dallon nga koncepti i komunikimit strategjik të NATO-s, duke e cilësuar atë si një instrument të luftës hibride.
“Komunikimi strategjik nga ana e Serbisë është përmbysje e konceptit të komunikimit strategjik që përdor NATO-ja, për shkak se përdoret në mënyrë të sofistikuar për qëllime armiqësore në kuadër të luftës hibride”, deklaroi Fetoshi.
Sipas tij, qasja e Serbisë ka ngjashmëri me modelin e luftës informative që Rusia përdor kundër Ukrainës dhe vendeve të tjera fqinje.
“Kemi të bëjmë me një komunikim strategjik në simetri me modelin që e shohim të Rusisë kundër Ukrainës dhe fqinjëve të tjerë”, tha Fetoshi.
Deklaratat e tij vijnë pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar se do t’i drejtohet me letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, me kërkesë që të mos lejohet hapja e urës kryesore mbi Ibër.
Ndërkohë, KFOR-i më 10 gusht njoftoi se ka nisur tranzicionin gradual të pranisë së përhershme në urën e Ibrit.