Ramadani kërkon hetim nga Prokuroria: Mbi gjysmë milioni euro në muaj shpenzohen për të emëruarit politikë

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po vazhdon me shkelje ligjore, kushtetuese dhe financiare. Sipas tij, rreth gjysmë milioni euro nga buxheti i Kosovës shpenzohen çdo muaj për pagat dhe shpenzimet përcjellëse të të emëruarve politikë në institucionet qeveritare.

Në një konferencë për media, Ramadani tha se bëhet fjalë për 463 të emëruar politikë, përfshirë anëtarë të kabineteve, këshilltarë dhe shoferë, të cilët, sipas tij, janë emëruar para zgjedhjeve të 7 qershorit.

“Lëvizja Vetëvendosje ka zinxhir të shkeljeve, pra shkeljet edhe ligjore, edhe kushtetuese, edhe financiare janë në zinxhir, pra nuk po ndalen. Si të tillë, sot kemi thirrur konferencën që, përmes jush, të ngrisim shqetësimin dhe alarmin për zhvatje buxhetore që po i ndodh Kosovës gjatë kësaj periudhe jokushtetuese. Dhe jemi duke folur për gjysmë milioni euro zhvatje vetëm për pagat e militantëve të Lëvizjes Vetëvendosje në zyrat e qeverisë. Është e qartë se janë 463 të emëruar politikë në institucionet qeveritare, pra po flasim për kabinetet, këshilltarët, shoferët etj., të cilët kanë qenë të emëruar ligjërisht para zgjedhjeve të 7 qershorit. Por, sikurse është e qartë me Kushtetutë, në nenin 72, dhe në Ligjin për Qeverinë, në nenin 26, ai i cili certifikohet si deputet dhe jep mandatin, betimin si deputet, nuk ka të drejtë të ushtrojë detyrën e ministrit në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Rrjedhimisht, ky staf i punësuar nga këta ministra uzurpatorë tashmë nuk kanë të drejtë të futen në zyrat e Qeverisë”, tha ai.

Ramadani tha se vetëm pagat e këtyre të emëruarve arrijnë në rreth 486 mijë euro në muaj, ndërsa, sipas tij, me shpenzimet për telefon, automjete, karburant dhe reprezentacion, shuma e përgjithshme e kalon gjysmë milioni euro.

“Shuma e përafërt e pagave të këtyre militantëve të Lëvizjes Vetëvendosje në zyrat qeveritare është 486.150 euro në muaj. Pra, po flasim për shumën 486.150 euro në muaj, të cilave u shtohen edhe mbushjet e telefonave, u shtohen veturat, karburanti, i shtohet reprezentacioni e të tjera dhe, rrjedhimisht, e kalon shifrën prej gjysmë milioni euro zhvatje të buxhetit të popullit të Kosovës. Në aspektin ligjor, nuk kanë fare të drejtë. Është shkelje flagrante. Ata dhe ato s’kanë të drejtë fare as të futen në zyrat qeveritare, e në aspektin profesional as të mos flasim. Ka raste kur shoferët janë emëruar këshilltarë vetëm për t’iu rritur paga dhe kjo pagë vjen në kurriz të popullit të Kosovës, në kurriz të buxhetit të popullit të Kosovës”, tha ai.

Ai kërkoi nga Prokuroria e Shtetit që të nisë hetim për këto pretendime dhe të identifikojë personat përgjegjës.

“Sa e sa të rinj e të reja kanë diplomuar dhe nuk kanë mundësi punësimi në Kosovë, derisa 463 të emëruar politikë, që kanë qenë legalë, sot janë ilegalë dhe paguhen nga buxheti i popullit të Kosovës. Ne ftojmë Prokurorinë e Shtetit që menjëherë, qysh sot, të marrë veprimet e nevojshme hetimore për të gjetur përgjegjësit dhe për t’i vendosur para drejtësisë këta që po e zhvatin buxhetin e popullit të Kosovës”, tha ai.

Ramadani e krahasoi shumën mujore të pagave të pretenduara me pagat e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe zjarrfikësve.

“Dhe fjalia e famshme e cila po ndodh sot është gjakderdhja financiare. Pra, pikërisht këta që e kanë ngritur këtë fjali në publik sot, në mënyrë tepër të qartë, po bëjnë gjakderdhje financiare në Kosovë. Kjo është shumë prej gjysmë milioni. Po e bëj pak me krahasim: është e barabartë me pagën që e marrin 769 policë në Kosovë, ose me pagën që e marrin 862 ushtarë në Kosovë, ose me pagën që e marrin 909 zjarrfikës në Kosovë”, tha ai./eo

Shija e redaktorit

“Të jetoj i lirë” – Intervista e fundit e Thaçit...

Presidenti, Hashim Thaçi, do të jetë protagonist i një interviste ekskluzive në emisionin “Debat Plus” të TV Dukagjinit, e cila do të transmetohet nesër,...

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Të fundit nga rubrika